Arben Vitia dhe Baton Kelmendi në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje. FOTO: KALLXO.com

Vetëvendosje jep mal me kritika për gjendjen në QKUK dhe shëndetësi

Një doktor dhe një ish- Drejtor i Shëndetësisë përfaqësuan sot Lëvizjen Vetëvendosje në konferencën ku u kritikua sistemi shëndetësor në vend.

Ky subjekt thotë se gjendja në shëndetësi është e tmerrshme dhe se sipas tyre zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për të ndryshuar gjendjen e saj.

Arben Vitia nga LVV tha se ky mandat ka bërë shkelje të mëdha. Vitia ka qenë Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

“Me sistemin e prokurimit kanë shkaktuar padrejtësi të shumëfishtë, karshi stafit shëndetësorë që u është kthyer në sfidë kryerja e punës pa mjete, gjithashtu edhe kompanive që u është thënë të japin ryshfetin ose do të përjashtohen” tha ai.

Ai përmendi edhe raportin e Institutit Demokratik të Kosovës, ku përmenden parregullsi në prokurimin e Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës (ShKSUK),.

“Për stenta janë shpërblyer kompanitë që nuk garantojnë cilësi të duhur, paramendoni stent qa vendosen në zemrën e pacientit nuk e kanë të garantuar cilësinë përmes certifikimeve”, tha Vitia.

Sipas tyre edhe furnizimi me shtretër ishte pothuajse komik sepse shtretërit nuk mund të hynin në dyert e dhomave.

“Pacientët mbesin pa shtretër dhe për ato paguhen mbi 1 milion euro, ky tender do të duhej të anulohet”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, doktori Baton Kelmendi, kirurg në QKUK, tha se mjekët kanë qenë dëshmitar të fushatave të marketingut personal të Mnistrit të Shëndetësisë në dorëheqje, Uran Ismailit.

“Situata në QKUK është shembulli më përfaqësues ku marketingu i ish- Ministrit merret me përurumin e projekteve nga pushteti i kaluar, salla e dytë e kardiokirurgjisë është përuruar tre herë deri sa ka filluar puna”,tha ai.

Sipas Kelmendit ende nuk ka raport zyrtar nga vdekjet e shkaktuara nga gazi, në QKUK dy vite më parë.

“Që në orët e para merën analizat që të shihet toksiciteti, pse nuk u mbyllën sallat operatore po mbeten hapur në vikend, në datën 11 dhe 12 shtator 2017 ka pasur presion që të vazhdohet puna por kanë hasur në rezistencë nga stafi, pse u janë dhënë trupat familjarëve kur dihej se ka ndodhur diçka” tha ai.

Kelmendi tha se edhe sot nuk ka dhënë askush përgjegjësi, ndërsa tha se është turp që udhëheqësia është marrë me gjëra jo esenciale.

“Është e turpshme të lyhen koridoret dhe sallat e operimeve të mos kenë filtër steril e kjo ndodhë sepse nuk është tender milionësh e nga aty nuk mund të përfitohet”, tha Kelmendi.

Sipas Kelmendit rrobat e kirurgëve dhe anesteziologëve lahen në shtëpi.

“Rrobat që i kemi të përlyera me gjak e qelb i dërgojmë në shtëpi, që nga paslufta”duke e quajtuar kështu QKUK si spital të luftës.

Vetëvendosje e përmbylli konferencën duke thënë se ky sistem ka dështuar dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.