Ilustrim
Vetëvendosje i propozon ZRrE-së që mos të ketë shtrenjtim të rrymës deri në 800 kilovat
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka njoftuar se i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat, mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
Mimoza Kusari – Lila, shefe grupit parlamentar të LVV-së, deklaroi se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.
“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat për orë, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës. Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së dhe përfshinë mbi 23% të amvisërive. Më propozimin tonë, dy të tretat e amvisërive kursehen. Blloku i tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, u shpreh deputetja e LVV-së në një konferencë për media.
Ajo bëri të ditur edhe katër rekomandime që i janë dhënë ZRrE-së në emër të Lëvizjes Vetëvendosje:
- Të përfshinë ndikimin pozitiv që shkaktohet nga rikthimi i bllok-tarifave progressive, në reduktimin e kërkesës për energji elektrike për vitin 2022.
- Duke marrë parasysh situatën e rënduar ekonomike të qytetarëve dhe krizën energjetike në tregjet ndërkombëtare, të konsiderojë reduktimet e investimeve kapitale përgjatë vitit 2022 në rrjetin e distribucionit sipas modelit të cilin tashmë e zbaton Republika e Shqipërisë.
- Duke pasur parasysh që zvogëlimi i humbjeve ka ndikim direkt në zbritjen të çmimit të energjisë elektrike, kërkojmë nga ZRRE-ja që ta prezantojë një plan konkret që të parandalojë këtë dukuri negative, dhe ndikimin pozitiv që do të arrihet në rastin e zvogëlimit të humbjeve komerciale përfshirë këtu edhe kuadër shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor.
- Duke marrë parasysh faktin që agjencitë e specializuara kanë parashikuar zbritje të çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar që nga pranvera e këtij viti kërkojmë nga ZRRE-ja që të konsiderojë një skenar pozitiv të çmimit të energjisë që do të blihen nga importi gjatë llogaritjes të të hyrave të jashtëzakonshme
Afati për dhënien e komenteve ndaj propozimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike është mbyllur sot në orën 16:00.
Para disa minutash, Zyra e Presidentes ka njoftuar se ka dërguar komentet e saj për strukturën e re tarifore të propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.
Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.
Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.