Vetëvendosje i konsideron antikushtetuese emërimet në AKI

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur antikushtetuese vendimin e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, dhe Presidentit Hashim Thaçi, për emërimin e Kreshnik Gashit në krye të AKI-së si dhe Burim Ramadanit në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

“Emërimet antikushtetuese në AKI – pazar i PAN-it të vjetër. Sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit. Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin”, thuhet në reagimin e VV-së.

Sipas Vetëvendosjes kryeministri në largim nuk ka kompetenca për këtë emërim.

“Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër”, thuhet tutje në ragim.

Tutje në reagimin e saj, VV ka thënë se Burim Ramadani është ‘rehatuar’ në këtë pozitë pas dështimit që të bëhej deputet.

“Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet tutje në reagimin në facebook.

Tutje në reagim thuhet se nuk do të pranojnë një vendim të tillë, i cili sipas tyre është antikushtetues.

‘Me t’u konstituuar institucionet ky vendim antikushtetues do të adresohet për këtë shkelje të rëndë e paprecedentë’ thuhet në reagim.

Sipas tyre ‘ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues’

Sot kryeministri në largim ka bërë të ditur që ka emëruar Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI), ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Ky vendim i Haradinajt vie 20 ditë që nga dorëheqja e Shpend Maxhunit nga posti i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Drejtori i sapoemëruar, Kreshnik Gashi ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Hashim Thaçi. Së fundi, ai ka qenë kryetar i Bordit të ARKEP-it. Ndërsa Burim Ramadani është drejtues i lartë në AAK. Së fundi ka qenë Zëvendës Ministër i Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

 

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së