Vetëvendosje: Gjykata ka pezulluar lejet e Kelkos Energy për dy hidrocentralet në Lumbardhin e Deçanit

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi ka thënë se Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim për pezullimin e punës së dy hidrocentraleve që operojnë në Lumbardhin e Deçanit.

Sipas një aktvendimi të Gjykatës të publikuar nga Vetëvendosje, Gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimin e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë, i kanë dhënë kompanisë private ‘Kelkos Energy’ për hidrocentralet.

“Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e LVV-së.

Këtë vendim të Gjykatës Vetëvendosja e ka cilësuar si fitore të shënuar kundër degradimit të natyrës dhe jetës së banorëve në atë pjesë.

“Aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes po angazhohen për ta mbrojtur mjedisin si përmes Kuvendit të Republikës ashtu edhe përmes nismave të tjera vendore e ndërkombëtare”.

Kompania Kelkos ka marrë licencë 40-vjeçare nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për prodhim të energjisë në Deçan me dy hidrocentrale “Belaja” dhe “Deçani”.

Këto leje nxitën reagime nga aktivistë të shumtë, të cilët protestuan vite me radhë për dëmet që kjo kompani ka bërë në Lumëbardh të Deçanit.