Vetëvendosje e krahason fushatën e Veselit kundër korrupsionit me atë të Esocabarit në Kolumbi

Lëvizja Vetëvendosje, fushatën e kundër korrupsionit të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli e ka quajtur kopje të fushatës së narkotrafikantit kolumbian Pablo Escobar në vitin 1982.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në emisionin Debat Plus në rtv Dukagjini, në debat me ministrin në largim të PDK-së, Abelard Tahirin, fushatën e kreut të PDK-së e ka krahasuar me at të Escobarit.

“Për mua kjo është një fushatë e kopjuar, më 82 në Kolumbi Pablo Escobar në thelb të fushatës së tij ka pasur luftimin kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Aliu.

Sipas tij pikërisht Ligji për Konfiskimin e Pasurisë, për të cilin ‘mburrej’ ministri Tahiri, e vërteton edhe më shumë këtë kopjim të fushatës.

“Këtu fillon realisht ai Pablo Escobarizmi, kanë sjellë një ligj për me amnistu pasurinë e përfituar jashtëligjshëm, ju doni me amnistu pasurinë por në s’kemi me ju lonë”, theksoi Aliu.

E një deklarim të ngjashëm për fushatën e Veselit, e ka bërë edhe kandidati tjetër i VV-së për deputet, Yll Rugova, i cili përmes një postimi në facebook, duke cituar fjalimin e Veselit dhe të Escobar është përkujdesur të tregoj se sa të ngjashme janë këto fushata.

Ka tash e disa muaj që kreu i PDK-së, njëherësh edhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, ka filluar një ‘betejë’ kundër korrupsionit.

Në fillim Veseli morri vendim për lirimin nga  detyra të gjithë zyrtarët me aktakuza, pastaj pas disa muajve, Veseli i propozoi partive politike paktin kundër korrupsionit, ‘pakt’ i cili u konsideruar si një nga metodat e PDK-së, për të bërë fushatë zgjedhore.