VV dërgon në Kushtetuese komentet rreth "rezistencës" së Thaçit ndaj masave të qeverisë për COVID-19

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se dje nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka dorëzuar, në Gjykatën Kushtetuese komentet për veprimet e presidentit Hashim Thaçi i cili kishte deklaruar se qytetarët dhe policia nuk janë të obliguar t’i përmbahen masave të qeverisë së Kosovës.

“Ato janë përgjigje ndaj komenteve të Presidentit Thaçi për shkeljen e rëndë, rrjedhimisht veprimet e tij antikushtetuese të datës 23 mars 2020.Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, thirrjet e presidentit për moszbatim të vendimeve të ekzekutivit janë shkelje serioze e kushtetues së vendit.

“Vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre Gjykata Kushtetuese do të konstatoj shkeljet e presidentit Thaçi në deklarimin e tij të 23 marsit, duke shtuar se një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti në komentet e tij dërguar Kushtetueses.

“Presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional”, thuhet tutje në njoftim.

Më 23 mars Qeveria e Kosovës kishte mare vendim për vendosjen e ‘orës policore’ për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Po atë ditë, presidenti Thaçi përmes një konference për media kishte thënë se policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti

Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si anti-kushtetues masën e Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes së qytetarëve.