Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese çështjen e votimit të deputetit Etem Arifi

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kanë dorëzuar kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tyre, pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për qeverinë Hoti e bën jolegjitime këtë qeveri.

“Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre qeveria Hoti është diskredituar edhe me kompetencat e mëdha që i ka dhënë Listës Serbe.

“Qeverinë Koti është e diskredituar në të gjitha drejtimet. Pa bazë kushtetuese dhe pa vullnetin e votuesve, e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe madje me vota të deputetëve përkundër vullnetit të tyre, ajo është e pavlefshme edhe ligjërisht prej votimit të z. Etem Arifi si i dënuar me vendim përfundimtar gjyqësor për vepër penale”, thuhet tutje aty.

Tutje në komunikatë, është theksuar se qeveria e re është imponim nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Përveç Qeverisë që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në rezultatin e “zgjedhjeve, por është imponim nga presidenti e për vetë atë dhe planet e tij, ka humbur integritetin dhe besueshmërinë çdo mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë së veprimeve e vendimeve institucionale”, thuhet tutje aty.

Sipas tyre rasti i votimit të deputetit Etem Arifi tregon një shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës.

“Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet tutje aty.

Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione.

Ndonëse i dënuar, Arifi kishte votuar pro formimit të qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit.

Pas raportimit të KALLXO.com, Vjosa Osmani kërkon interpretim ligjor lidhur me mandatin e deputetit Etem Arifi