Vetëvendosje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit Thaçi për Avdullah Hotin

Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dekretin që presidenti Thaçi e ka nxjerrë për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Njoftimi i presidentit është bërë pas orës 16:00, derisa Lëvizja Vetëvendosje rreth orës 17:00 e ka dorëzuar kërkesën për kushtetutshmërinë e këtij akti.

“Sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit, që e bëri publik para pak kohësh. Me këtë dekret, ne vlerësojmë se Presidenti ka vazhduar ta shkelë Kushtetutën”, tha Rexhep Selimi para mediave.

“Jo rastësisht, në këtë kohë kur po përfundon java e punës, nesër është festë zyrtare e pastaj vikendi, Presidenti është kujdesur bashkë me bashkëpunëtorët e tij që po ia kërkojnë këtë dekret, që të zënë Gjykatën Kushtetuese dhe administratën të pushuar. Neve, natyrisht nuk na zënë në gjumë”, tha Selimi.