Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Foto: LVV

Vetëvendosje do të rinisë zgjedhjet e brendshme në fillim të vitit 2022

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në fillim të vitit tjetër, do të rinisin zgjedhjet e brendshme pasi të njëjtat ishin ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe pandemisë COVID-19.

Kështu u vendos në një mbledhje me qendrat e partisë ku mori pjesë edhe kryetari, Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehemti dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti.

“Në mbledhjen e përbashkët me qendrat u fol edhe për zgjedhjet e brendshme të cilat do të rinisin në fillimvitin që po vjen, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Të gjitha qendrat ishin njëzëri dakord për të filluar procesin e brendshëm zgjedhor prej nga do të dalim edhe më të fuqishëm edhe më të organizuar”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për miratimin e buxhetit për vitin 2022.

“Ky është buxheti i zhvillimit, mirëqenies, solidaritetit dhe investimeve. Aty gjenden fondet e ndara për mbështetje të prodhuesve vendor dhe bujqve, fondet për ringjallje të ndërmarrjeve publike, shtesat për nënat lehona e fëmijët, shtesat për familjet me asistencë sociale dhe pensionistët, e deri te investimet në fushat si ajo e shëndetësisë, sigurisë, infrastrukturës, kulturës e rinisë”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund të mbledhjes qendrat u njoftuan edhe për hapjen e aplikimit për Nivelin Teorik në kuadër të Shkollës Politike afati për aplikim i së cilës përmbyllet me 10 janar 2022.

Partia e Albin Kurti doli forca më e madhe politike në Kosovë në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

Por, LVV nuk fitoi më shumë se 4 komuna në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të këtij viti.