Vetëvendosje dërgon parashtresë në Gjykatë për ZRrE në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se përfaqësues të partisë kanë dërguar në Gjykatë edhe një parashtresë në lidhje me kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ku VV-ja kërkon mosshtrenjtim të energjisë elektrike.

Vetëvendosje në komunikatë ka shkruar se sistemi i drejtësisë duhet të veprojë dhe ta mbrojë të drejtën dhe interesin e qytetarëve.

“Nëse dikush ka detyrime ndaj DEVOLLËVE, ata nuk janë qytetarët që shtyhen të paguajnë tarifa marramendëse të energjisë elektrike për 12 vitet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Tutje në komunikatë thuhet se ZRrE me datën 27 nëntor i ka aprovuar tarifat nxitëse në lartësi prej 85.5 EUR/MWh për ‘grupin Devolli për 12 vitet e ardhshme’.

“Në vend të tarifave nxitëse, të gjitha palët kanë rekomanduar procedurat e ankandeve pasi që teknologjia e prodhimit të energjisë elektrike nga panelet solare është bërë shumë më e lirë se më parë, dhe me trend të rënies së vazhdueshme. Pas 12 viteve, nuk do ishte çudi që çmimi të binte edhe në 4 EUR/MWh përderisa ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, ende do t’ia paguajmë grupit Devolli plot 85.5 EUR/MËh”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Sipas kësaj komunikate, Sami Kurteshi, si palë e dëmtuar, pasi që këto tarifa nxitëse e dëmtojnë interesin e qytetarit, duke ndikuar në shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, ka bërë padi në Gjykatën themelore kundër këtij vendimi.

“Me datë 27 Dhjetor, 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, me të drejtë mori vendim për pezullim të vendimit të ZRrE. Pas një ankese të një kompanie private (pas skadimit të afatit të rregullt për ankesa!) Gjykata e Apelit me datën 20 shkurt, 2020 e riktheu çështjen e pezullimit të vendimit për rigjykim në Gjykatën Themelore, me pretendimin se Themelorja nuk ka arsyetuar vendimin dhe se nuk ka ofruar prova për atë vendim”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Në fund të komunikatës, Vetëvendosje, e cila udhëheq Qeverinë, u ka bërë thirrje mekanizmave shtetërorë, mediave, shoqërisë civile si dhe qytetarëve që t’i përdorin mjetet demokratike, sipas tyre, “për të pamundësuar vazhdimin e sistemit të krimit dhe të regjimit të vjetër të parapolitikës’.

“Për fat të keq kjo e jep shëmbëlltyrën e trekëndëshit ZRrE – DEVOLLI – SISTEMI I DREJTËSISË, njerëz të caktuar brenda tij”, thuhet në fund të komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje.