Vetëvendosje deklarohet rreth votimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2021

Lëvizja Vetëvendosje pritet që hënën ta bëjë publik vendimin rreth votimit ose jo të Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 të Kosovës, në seancën e Kuvendit të Kosovës të hënën e ardhshme.

Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, Arlind Manxhuka nga Zyra për Media e LVV-së.

“Të hënën e themi vendimin, por jemi deklaruar përmes deputetit [Hekuran] Murati”, është shprehur Manxhuka për KALLXO.com, kur është pyetur nëse LVV do të përkrahë buxhetin 2021 dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndërkaq, para disa ditësh deputeti i këtij subjekti politik Hekuran Murati, ka thënë se Kuvendi si institucion nuk komunikon me një qeveri që është në detyrë.

“Kuvendi si institucion nuk komunikon me një qeveri që është në detyrë. Në këtë rast për më tepër e kemi edhe qeveri ilegale”, tha Hekuran Murati për RTV Dukagjinin.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të përkrahë me votë miratimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 të Kosovës, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 28 dhjetor.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se beson që PDK do të votojë pro buxhetit.

“Bazuar në situatën shumë serioze që mund të jetë si pasojë e mungesës së buxhetit, bazuar në mundësinë që zgjedhjet mund të zgjasin deri në konstituimin e institucioneve, me qëllim që punonjësit mos të mbesin pa paga dhe pensionistët pa pensione e shumë pagesa tjera besoj që PDK do të votoj pro”, ka thënë Hamza për KALLXO.com.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet zyrtarisht në një seancë të jashtëzakonshme të hënën e javës së ardhshme, më 28 dhjetor në ora 11:00.

Në këtë seancë, janë dy pika të rendit të ditës: Votimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së. Kushtetuesja ka urdhëruar edhe shkuarjen në zgjedhje brenda 40 ditësh.