Vetëvendosje bën shefe të grupit parlamentar deputeten me aktakuzë

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur ta bëjë ushtruese të detyrës së kryetares së grupit parlamentar Mimoza Kusari-Lilën, ndonëse zyrtarisht ajo nuk është pjesë e LVV-së.

Mimoza Kusari-Lila ende vazhdon të jetë kryetare e partisë Alternativa, e cila në dy palë zgjedhjet e fundit ka garuar si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, derisa në zgjedhjet e 2017 ishte pjesë e grupit parlamentar të LDK-së, pasi që kishte garuar me këtë parti.

Shefja e re e deputetëve të LVV, Mimoza Kusari-Lila ka aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut.

Ky proces i privatizimit ishte zhvilluar gjatë Qeverisë Thaçi 2.  Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shitje të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Në atë kohë, Kusari-Lila ka qenë ministre e Tregtisë dhe pjesë e komitetit ndërministror që kishte monitoruar procesin e privatizimit të KEK-ut. Po ashtu, Mimoza Kusari-Lila në atë kohë kishte mbajtur edhe pozitën e zëvendëskryeministres.

Privatizimi i KEDS-it ishte përmbyllur më 8 maj 2013. Katër hidrocentrale ishin privatizuar në mënyrë tinëzare bashkë me distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike. Përfshirja e tyre në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.

Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit.

Në këtë rast, Mimoza Kusari-Lila është e akuzuar së bashku me 19 persona të tjerë.

Në mes e 19 personave, përveç Kusari-Lilës është edhe Nenad Rashiq.

Në kohën kur ishte bërë publike aktakuza, Rashiq kishte qenë këshilltar i Albin Kurtit, në qeverinë e tij të parë.

Në konferencë për media së bashku me Kurtin, Rashiq kishte ofruar dorëheqje për shkak të aktakuzës.

“Unë besoj në pafajësinë e Nenad Rashiq. Bëhet fjalë për procese të vjetra sikurse regjimi i vjetër që nuk preferon të largohet nga sundimi në Kosovë. Dhe bëhet fjalë për aktakuza kur krerët e çështjeve nuk janë në aktakzua. Kemi gjithmonë persona që gjenden aty në rrethin  tretë e të katër dhe thelbi i problemit gjithnjë evitohet. Zoti Rashiq ma ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij, unë e kam pranuar dorëhqjen e tij me keqardhje”, kishte thënë Kurti në konferencën ku ishte njoftuar dorëheqja e Rashiqit.

Mimoza Kusari-Lila ka qenë pjesë e Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit kur kishte zëvendëskryeministre në Qeverinë Thaçi 1.

https://kallxo.com/impakti/aktakuze-per-ish-ministrat-e-qeverise-thaci-2-per-faljen-e-hidrocentraleve/