Astrit Dehari | Foto: LVV

Vetëvendosje: Astrit Dehari është vrarë për shkak se ka qenë aktivist i VV

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me konstatimet e Institutit Zviceran për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në nëntor të vitit 2016.

Ky raport iu dorvzua sot familjarëve të Astrit Deharit dhe përfaqësuesit të tyre ligjor.

Vetëvendosje e ka cilësuar vrasje për shkaqe politike.

Vetëvendosje ka kërkuar që hetimet të fillojnë sa më parë dhe të jetë të drejta dhe profesionale duke vënë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e Deharit.

“Këtë e ka thënë edhe raporti i ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Shqipëria e Mbretëria e Bashkuar, këtë e thotë tani edhe raporti i ekspertëve të Qendrës Universitare Romande për Mjekësi Ligjore (CURML) në Lozanë të Zvicrës, këtë e ka thënë vetë trupi i Astrit Deharit. Prokuroria e ka obligim ligjor dhe njerëzor që t’i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësit e këtij krimi monstruoz, që e privoi aktivistin 26 vjeçar Astrit Deharin nga jeta, të vihen të gjithë para drejtësisë. Drejtësia nuk duhet të ndalet para fajtorëve, sado lart që mund të ndodhen ata në hierarkinë e pushtetit. Po ashtu, duhen hetuar edhe ata që përkundër dhimbjes së familjes, shokëve dhe mbarë opinionit publik, u bënë mjet i dezinformimit menjëherë pas vrasjes së Astritit në burg. Cili ishte qëllimi i atyre që me çdo mjet, edhe duke gënjyer e duke i ndërruar fjalët, donin ta mbulonin krimin si vetëvrasje? Znj. Xhemile Dehari, znj. Arta Boshtraj Dehari dhe z. Avni Dehari së bashku me avokatin z. Tomë Gashi kërkojnë që hetimet të fillojnë sa më parë. Ata falënderuan të gjithë ata që ndihmuan për informim të drejtë mbi rastin, dhe ata që mbajtën besimin e drejtë se kjo është vrasje tërësisht politike. Lëvizja VETËVENDOSJE! Po ashtu kërkon që hetimet të fillojnë sa më parë, të pavarura, të drejta dhe profesionale. Qytetarët e Republikës së Kosovës, e gjithë shoqëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen nuk janë të qetë deri sa të vihet drejtësia për Astritin”, thuhet në reagimin e VV.

Historia e rastit të Astrit Deharit

Që nga dita e vdekjes në nëntor 2016, ende vazhdojnë të mbeten dilemat dhe paqartësitë se çfarë saktë kishte ndodhur dhe se si Astrit Dehari kishte vdekur.

Në atë kohë, për vdekjen e një djali 26 vjeçar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar pas orës 17:00 ishte gjetur i vdekur Astrit Dehari, ani se ngjarja kishe ndodhur shumë orë më përpara.

Për çfarë po mbahej në burg Astrit Dehari?

Në minutat e parë të 5 gushtit të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ishte sulmuar me një granatë anti-tank.

Policisë iu dashtë një muaj kohë që të identifikoj dhe arrestojë pesë persona, ku më pas u bë publike se të arrestuarit ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Astrit Dehari, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti e Atdhe Arifi ishin pesë të dyshuarit për sulmin me anti-tank ndaj Kuvendit.

Për sulmin të dyshuarit po mbaheshin në paraburgim pas kërkesës së Prokurorisë.

Në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit u ngrit edhe aktakuzë. Të dyshuarit po dyshoheshin se kanë kryer veprën penale të terrorizmit.

Marrëveshja e demarkacionit ka kaluar, një person ishte liruar nga dyshimi për kryerjen e sulmit, katër të tjerë u gjykuan, e Astrit Dehari asnjëherë nuk dëgjoi gjykimin e tij për çka edhe u arrestua dhe u dërgua në paraburgim për të dalë i pajetë nga ai.

Si vdiq Astrit Dehari?

Tre muaj pas sulmit të kuvendit një lajm mori vëmendjen e të gjithëve, pasi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur një 26 vjeçar emri i të cilit u bë publik nga vetë partia të cilës i përkiste Arstit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

https://kallxo.com/syle-hoxha-e-dyshimte-vdekja-e-deharit/

Hetimet filluan ndërsa zbardhja e rastit po kërkohej nga të gjithë.

Protestat nuk munguan.

Marshe protestuese u organizuan në çdo vend të Kosovës për të kërkuar drejtësi, e zbardhje të rastit.

Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ishin suspenduar katër zyrtarë.

https://kallxo.com/suspendohen-4-zyrtare-te-qendres-se-paraburgimit-ne-prizren/

Zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit ishin suspenduar, por nuk pushuan kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkime të tjera, duke filluar nga Drejtori i Policisë në Prizren Nexhmi Krasniqi, e deri te dorëheqja e ish-ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha.

Më 8 nëntor të vitit 2016 ishte varrosur Astrit Dehari ndërsa nga rezultatet e autopsisë së të njëjtit, sipas kryeprokurorit të atëhershëm në Prizren, Sylë Hoxha, Astriti kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

“Të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje. Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e organeve të frymëmarrjes, si pasojë e mbylljes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet i fortë”, kishte njoftuar Hoxha.

https://kallxo.com/syle-hoxha-astrit-dehari-ka-vdekur-nga-asfiksia/

Rezultatet e autopsisë nuk ishin bindëse për familjen e Astritit.

Hetimet!

Rrethanat e paqarta të vdekjes së Astrit Deharit bënë që Ministria e Drejtësisë të kërkonte ndihmë edhe nga Policia Metropolitane Britanike “Scotland Yard”, por kjo kërkesë u refuzua prej britanikëve.

Për të zbardhur rastin do të duhej rezultati i një super-ekspertize e cila pritej të ndodhte së shpejti.

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Qeveria e Kosovës ndau 50 mijë euro për mbulimin e kostos së super-ekspertizës që do të hiqte çdo dyshim mbi vdekjen e Astrit Deharit.

Në dhjetor të vitit 2016 Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet.

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të vitit të kaluar kishin thënë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

https://kallxo.com/eksperte-nga-zvicra-pritet-ta-hetojne-vdekjen-e-deharit/

Për derisa rasti vetëm bëhej më misterioz, një televizion kosovar publikoi disa video incizime nga ku shiheshin të burgosurit deri sa vraponin në dhomën e Astrit Deharit ku edhe u gjet i vdekur.

Për ato video incizime u ngritën pikëpyetje të tjera.

U bë edhe një ekspertizë në Austri.

Në shtator të vitit të kaluar, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte thënë se video-incizimet ishin siguruar nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, për intervalin kohor të datës 05.11.2016, nga ora 00:00:00 minuta deri 23:59:59 minuta, të cilat kapin periudhën kohore kur Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Raporti ka konstatuar se të gjitha video-incizimet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme. Gjatë transparencës së videove raporti ka konstatuar se këto janë në gjatësi identike dhe me këtë mund të përjashtohet manipulimi i video-incizimeve. Raporti i ekspertizës po ashtu ka konstatuar se nuk ka pasur manipulim apo ndërprerje të video-incizimeve”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit.

Prokurori i Shtetit pas pranimit të raportit të ekspertizës tha se do të vlerësojë dhe analizojë të gjitha provat dhe faktet e mbledhura në këtë çështje penale dhe së shpejti do të dalë me vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje.

Raporti ishte pranuar nga Republika e Austrisë, përkatësisht nga Ministria Federale e Brendshme, Enti Federal i Kriminalistikës.

https://kallxo.com/kthehet-nga-austria-ekspertiza-e-videos-ne-rastin-dehari/

Kjo nuk përfundoi pasi që  prindërit, subjekti politik të cilit i takonte Astriti e edhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendra Universitare të Mjekësisë ligjore në Lausanne të Zvicrës.

Edhe këtu, ata nuk gjetën asgjë.

Kjo pasi që sipas Tomë Gashit, i cili në një bisedë telefonike për KALLXO.com pati thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë rezultat në lidhje me vdekjen e mistershme të Astrit Deharit.

“Rasti është dërguar në Zvicër, ne nuk kemi asnjë njohuri lidhur me epilogun apo rezultatet lidhur me çka kanë bërë ky institucion”, kishte deklaruar Gashi për KALLXO.com

Sot në dy vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje bëri homazhe tek varri i Astritit.

I pari i LVV-së, Albin Kurti pas homazheve tha se edhe pse kanë kaluar dy vjet nga vdekja e Astritit ende nuk ka drejtësi, duke i quajtur burgjet ‘fronte në shtetin e kapur’.

“Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin. Dy vjet më vonë ne kemi dhembje, sepse nuk e kemi Astritin dhe sepse nuk e kemi drejtësinë. Kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm. Ky krim nuk mund të falet sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv, pa të cilën nuk ka republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë e i prokurorisë, i gjyqësisë e i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarit. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vetë liria për qytetarin në Republikë. Astriti ishte i Lëvizjes, tash ne jemi të tij. Të fuqishëm si asnjëherë tjetër, sepse jemi me një popull që na do si askush tjetër’’, tha Albin Kurti.

Ndërsa babai i Astritit, Avni Dehari tha se pjesëmarrja dhe protesta i bënë ata edhe më të fuqishëm edhe pas vdekjes së djalit të tij.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje vendosi tabelë me emrin e rrugës “Arbënor e Astrit Dehari”.

Në orën 13:30 është paraparë që të mbahet tribunë për rastin e dy vjetorit të vdekjes së Astritit dhe në orën 15:00 me rastin e dyvjetorit të vrasjes së aktivistit Astrit Dehari LVV vendos një pikë mobile e transfuzionit të gjakut për dhurimin e gjakut.