Foto: Atdhe Mulla

Vetëvendosje ankohet për dy vota në PZAP

Pasi dje ka përfunduar rinumërimi i mbi 1400 vendvotimeve, deri në këto momente në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka arritur vetëm një ankesë, e cila është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këtë ka bërë të ditur për KALLXO.com, Mulë Desku, kryesuesi i sekretariat të PZAP-së, i cili shtoi se ankesa është bërë për dy vota.

“Për këto 24 orë kemi pranuar një ankesë dhe për të është duke u vendosur. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë ankesë për 2 fletëvotime”, ka thënë Desku.

Ndërsa, Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve ka deklaruar se presin afatin ligjor nëse ka ndonjë ankesë në PZAP dhe Gjykatë Supreme, lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, para se të procedojnë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit.

Deri te procesi i rinumërimit kishte ardhur pas vendimit të PZAP-së, e cila kishte i kishte vlerësuar si të bazuara disa ankesa të partive politike dhe kandidatëve për deputetë për rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend kanë vlerësuar se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.