Vetëvendosja e quan "inkuizicion politik e juridik" vendimin e PZAP-së

Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron Panelin për Ankesa dhe Parashtresa “bashkëudhëtar” me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së pas vendimit për ndalimin e  kandidatëve të saj për të kandiduar për deputetë.

Vetëvendosje përmes një reagimi në Facebook ka thënë se PZAP ka sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që sipas tyre është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë. 

“Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike” ka shkruar LVV-ja.

Sipas tyre,  PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj dhe e konsiderojnë si veprim që nuk është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. 

“Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik. Kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik” ka shkruar VV.

Sipas tyre, këto vendime janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. 

Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa iandaloi kandidimin për deputetë Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Liburn Aliut, Labinotë Demi-Murtezit dhe Bajram Mavriqit. 

Zgjedhjet e parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt. KQZ-ja të premten nuk e ka certifikuar listën e kandidatëve të LVV-së, kjo pasi që kryetari i LVV-së Albin Kurti si dhe katër kandidatë të tjera kanë probleme me ligjin.