Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosja bën thirrje që të festohet në shtëpi e jo në sheshe (VIDEO)

Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që qytetarët të mos dalin të festojnë fitoren në sheshe por të festojnë në së bashku me familjet në shtëpi.

“I ftoj qytetarët e Kosovës që festën e tyre dhe festën tonë ta bëjnë secili pranë familjes së tyre. Është e rëndësishme që të mos dalim në sheshe për shkak të pandemisë por edhe për shkak te temperaturave të ulëta”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se arsyeja e dytë e kësaj thirrje janë edhe temperaturat e ulëta dhe rrugët e papastruara nga bora që mund të bëhen shkak për problemet shëndetësore.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme është 47% apo 843.848 votues.

Para pak kohësh KQZ ka filluar edhe publikimin e rezultateve të numërimit të votave, kuti pas kutie.

Deri tani, LVV është duke prirë me 44,85%, PDK me 18,61%, LDK me 13, 84%, AAK me 8,88% dhe Nisma Socialdemokrate me 2,76%.

Pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, disa televizione kanë publikuar exit pollet, të cilat e kanë nxjerrë LVV-në të parën.

Derisa votat po numërohen brenda dyerve të mbyllura nëpër qendrat e votimit, qytetarët gjithndej Kosovës kanë dalë për të festuar fitoren potenciale të Lëvizjes Vetëvendosje.