Veteranëve protestues u shkon letra me ftesën zyrtare të Kurtit për takim

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka pranuar ftesën zyrtare për tu takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kjo ftesë Klinakut i shkoi në oborrin e Kuvendit ku po protestojnë, nga asistentja e kryeministrit Kurti.

Sipas Klinakut, takimi do të mbahet nesër në orën 09:00 dhe pjesë e tij do të jenë edhe ministri i financave Hekuran Murati dhe kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.

“E morëm një ftesë zyrtare për takim me kryeministrin, ministrin e financave dhe kryetarin e komisionit për buxhet dhe financa. Takimi është nesër në orën 09:00”, ka deklaruar Klinaku.

Mirëpo, Klinaku ka thënë se arsyeja e protestës ka qenë që të ndërpritet seanca e Kuvendit dhe ka kërkuar që e njëjta të ndërpritet.

“Kjo ishte një kërkesë e jona sepse ne takimeve nuk ju kemi ikë asnjëherë, por kërkesa jonë qysh në mëngjes kur e kemi filu protestën ka qenë që të ndërpritet seanca dhe kemi thënë që të mos mbahen kurrëfarë seanca deri sa këta e kanë shkelë ligjin, deri sa të ulemi e të bisedojmë ta kthejmë ligjin në vend ku ka qenë ne do të qëndrojmë këtu. Këta duhet të ndërprenë seancën e sotme”, tha Klinaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar nga salla e Kuvendit të Kosovës se do të anulojë pjesëmarrjen në forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e financave, Hekuran Muratin dhe kryesuesin e Komisionit për Buxhet, Armend Muja, do t’i takojnë me udhëheqësit e OVL-UÇK-së.

Mirëpo, Klinaku tha se pret ftesë zyrtare nga kryeministri Kurti, e jo nga foltorja e Kuvendit.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.