Protesta e veteranëve, Foto: KALLXO.com

Veteranët ende pa përgjigje për propozimin e Kurtit

Organizata e Veteranëve të UÇK-së, nuk i kanë diskutuar ende dy propozimet e dërguara nga kryeministri Albin Kurti e të cilat kanë të bëjnë për përfshirjen ose jo në ligjin për pagën minimal të kësaj kategorie. Kjo organizatë po e quan ndërhyrje në procesin gjyqësorë verifikimin e listave të veteranëve dhe krijimin e një ligji të ri.

Një letër nga kryeministri Albin Kurti, tashmë ka arritur në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Aty, si shef qeverie Kurti ka propozuar dy alternativa për veteranët, në mënyrë që të ndalen protestat kundër ligjit për pagën minimale.

Propozimet i kanë marrë veteranët, porse thonë se nuk i kanë shqyrtuar ende.

Por, për një gjë janë të sigurt.

Propozimi për hartimin e një ligji për verifikim të veteranëve, sipas Faton Klinakut, është ndërhyrje në një proces gjyqësorë që është kthyer në rigjykim.

“Qëndrimi i jonë ka qenë dhe është që ne do të bëjmë protestë nëse ky ligj i pagave shkon në Kuvend pa ndryshim. Ne se kemi shqyrtuar ende më kryesin këtë shkresë  dhe do të ja kthejmë. Në atë shkresë që është ardhë është ndërhyrje në procesin gjyqësore”, ka thënë Klinaku.

Ndonëse jo OVL-së së UÇK-së, hartimin e një ligji për riverifikim të veteranëve, Albin Kurti ia kishte përmendur Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së.

Një gjë të tillë e pohon Xhevdet Qeriqi, veçse ai nuk është në favor të një iniciativë të tillë.

“Po unë kom pas dy takime më Kyeministrin Kurti ma heret dhe e kemi diskuar riverifikimin e veteranëve por deri më tash s’kemi as gjë konkrete. Ne jemi të vëndosur që të zbatohet ligji në fuqi dhe veteranet e luftës të trajtohen për paga mbi këtë ligj”, ka thënë Qeriqi.

Kundër propozimit të kryeministrit Albin Kurti, janë shprehur edhe partitë opozitare.

Sipas Pal Lekaj nga AAK, propozimi i bërë është injorancë ndaj atyre që sakrifikuan edhe jetën për liri.

“Kjo është injoranca më e madhe që i bëhet veteranëve që fal tyre dhe sakrificës në e gëzojmë lirin dhe kjo shkresë është për tu çuditur. Zoti Kurti nuk po do më kry punë pasi e din që procesi është në Gjykatë por kjo është për të fituar kohë dhe është një injorancë ndaj vlerave të luftës”, ka deklaruar Lekaj.

Gjatë muajit qershor, qindra veteranë të Kosovës , kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësinë me miratimin në lexim të parë të ligjit që e përjashton kategorinë e tyre nga rritja e pagës minimale./PortaliD