
Trëndafila nga protestusit për policinë, Foto: KALLXO.com
Veteranët e UÇK-së e përfundojnë protestën duke ju dhuruar lule policëve
Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas rreth tetë orëve kanë përfunduar protestën në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Veteranët protestues e kanë përmbyllur protestën duke i falënderuar Policët e Kosovës të cilët kanë qenë prezent gjatë protestës së sotme. Ata ju kanë dhuruar edhe lule këtyre policëve.
Protestuesit krejt në fund kanë pastruar mbeturinat nga hapësirat ku është mbajtur sot protesta.



Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari ka ftuar deputetët vazhdojnë të bllokojnë Kuvendit nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje nesër në takimin me Qeverinë.
“I ftojmë deputetët të cilët kanë qenë pjesë e luftës edhe nëse ne takimin e nesërme qeveri nuk reflektojnë, të vazhdojmë te kundërshtojmë fuqishëm. Nëse nuk reflekton qeveria, ftoj deputetët që të bllokojnë kuvendin”, ka thënë ai.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka pranuar ftesën zyrtare për tu takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kjo ftesë Klinakut i shkoi në oborrin e Kuvendit ku po protestojnë, nga asistentja e kryeministrit Kurti.
Sipas Klinakut, takimi do të mbahet nesër në orën 09:00 dhe pjesë e tij do të jenë edhe ministri i financave Hekuran Murati dhe kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar nga salla e Kuvendit të Kosovës se do të anulojë pjesëmarrjen në forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e financave, Hekuran Muratin dhe kryesuesin e Komisionit për Buxhet, Armend Muja, do t’i takojnë me udhëheqësit e OVL-UÇK-së.
Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.
OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.