Vetëm një polic po i ruan votat e diasporës

Policia e Kosovës e ka deleguar vetëm një zyrtar të policisë për të siguruar votat e diasporës që janë të vendosura në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme se rreth 2 mijë vota të diasporës janë duke qëndruar në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, ministri kjo që drejtohet nga kandidati i AAK-së, Pal Lekaj.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar sot (e diele) objektin ku po qëndrojnë votat e diasporës ku është parë një polic i cili ka qëndruar para objektit të ministrisë, në hyrjen ku edhe gjenden votat.

https://kallxo.com/zgjedhjet-2019/2-mije-vota-te-diaspores-po-qendrojne-ne-ministrine-e-pal-lekajt/

Dhoma ku janë të vendosura votat nga diaspora janë të monitoruar prej kamerave të sigurisë.

KQZ e kishte konfirmuar se Policia e Kosomvës e siguron dhomën që shfrytëzohet nga KQZ-ja.

“Këto pako, ruhen në hapësirë të veçantë dhe të sigurtë. Dhoma që është në shfrytëzim të KQZ-së sigurohet gjatë 24 orëve nga Policia e Republikës së Kosovës”, kishte thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në kohën kur Pal Lekaj garonte për kryetar të komunës së Gjakovës, kishte pasur parregullsi dhe prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj një qytetari që dyshohej se kishte kërkuar vota për Pal Lekajn.

https://kallxo.com/gjate/akuzohet-se-kerkoi-vota-per-pal-lekajn/

Rreth 42 mijë votues janë regjistruar për të votuar nga diaspora.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor.