Seanca e Kuvendit të Kosovës më 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Vetëm një ministre prezente në seancën e Kuvendit, Zemaj kritikon Qeverinë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë e cila nuk është prezente në debatin parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

Në këtë debat prezent është vetëm ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci.

“Është ardh koha t’iu themi ministre faleminderit që jeni prezent. Paramendoni një mazhorancë e cila në logjikën e saj në të kaluarën e ka pas që qeveria të jetë prezente e sot po e dëshmon të kundërtën”, tha Zemaj.

Zemaj iu drejtua ministres Nagavci duke i thënë se shpreson se do të fokusohen në të ardhmen e mos të ndalen në të kaluarën.

Kurse, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, tha se do ta rilexojë  kërkesën që është bërë për këtë debat parlamentar.

“Jam e hapur dhe e gatshme jo vetëm të diskutoj po të punoj bashkë për secilën brengë për çështjen e arsimit. U kërkua nga unë të mos politizoj arsimin jo vetëm që tu garantoj por qeveria jonë dhe unë nuk do të jemi si tjerat”, tha Nagavci.

Këtë deklaratë Nagavci e bëri pasi iu kërkua nga deputeti i LDK-së armend Zemaj që mos ta politizojnë sistemin arsimor.