Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

Vetëm në Vushtrri rreth 500 shtëpi të prekura nga vërshimet

Komuna e Vushtrrisë ka qenë një nga komunat më të prekura nga vërshimet që ndodhën ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të shiut e borës.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë, Bajrush Kosumi, në një deklaratë për KALLXO.com ka treguar se numri i familjeve të prekura nga vërshimet është i lartë.

“Kemi 500 shtëpi që janë përfshirë nga uji vetëm në qytet, tani i kemi edhe fshatrat”, tha Kosumi.

Tutje ai tregoi se ende nuk janë bërë vlerësimet e dëmeve.

“Nuk mundemi me dhanë asnjë shifër të përafërt sepse terreni është i zgjeruar, kemi shumë fshatra deri në dalje të Vushtrrisë por kemi dëme edhe brenda qytetit”, shtoi tutje drejtori.

Kosumi tregoi edhe se ka pasur familje të cilat janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve.

“Janë evakuuar familje dhe janë dërguar te të afërmit e tyre. Ne i kemi caktuar dy vende/ lokacione por familjet e evakuuara, kanë zgjedhur që të shkojnë te familjarët e tyre. Vetëm dje që i kemi larguar janë diku 14 familje apo 48 familjarë/persona. Të gjitha këto janë shifra të përafërta sepse ekipet janë ende në terren”, shtoi Kosumi.

Kosumi thotë se kanë kapacitete për menaxhimin e situatave të tilla.

“Me këto kapacitete që i kemi është në rregull, ia kemi dalë por ka qenë uji aq i madh sa që jemi marrë më shumë me dëme edhe me shpëtim të qytetarëve në mënyrë që të mos kemi jetë të humbura. Po besoj që brenda javës të dalim me një raport të dëmeve”, tregon ai derisa shton se nuk sheh rrezik që të ketë vërshime të tjera.

“Në qoftë se vazhdon të ketë të reshura dhe tash bora që është tu u shkri nëpër bjeshkë, mund të ketë rrezik sepse tash siç thonë e ka bërë vendin dhe pritet që pak me pas të reshura pritet me pas edhe vërshime. Ka ra niveli i ujit por për çdo gjë ne jemi të gatshëm të veprojmë”, përfundon Kosumi.

KALLXO.com ka raportuar gjatë këtyre tri ditëve të fundit në lidhje me gjendjen e rëndë në Komunën e Vushtrrisë pas vërshimeve dhe përmbytjeve.

Gjithashtu KALLXO.com solli edhe pamje nga droni, ku shihej se një lagje e tërë në njërën nga fshatrat e Vushtrrisë ishte mbuluar me ujë ndërsa familjet ishin evakuuar për shkak të rrezikut të përmbytjeve.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dy ditë më parë kishte shpallur gjendje të emergjencës civile për shkak të rrezikut nga vërshimet nga lumi Silnica.

Reshjet e fundit kanë bërë që lumi Llap e Drenica të rrisin jashtëzakonisht shumë prurjet më lumin Silnica që rrit rrezikun e vërshimeve në qytet dhe fshatrat e Vushtrrisë.