Rexhep Selimi - Foto: KALLXO.com

Vetëm katër nga katundarët e Rexhep Selimit e votuan VV-në

Drenica mbetet ende e pathyeshme për Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhje.

Kjo parti doli e para edhe në zgjedhjet e 6 tetorit në Skenderaj e në Drenas.

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje që vjen nga komuna e Skenderajt është Rexhep Selimi.

Ai në fshatin e tij të lindjes në Aqarevë të Skenderajt nuk doli mirë me vota.

Në qendrën e votimit 2104b Rexhep Selimi siguroi vetëm 4 vota apo 2.55 për qind.

Por, shumë vota në fshatin Aqarevë mori partia e Kadri Veselit. PDK në këtë fshat mori plotë 129 vota apo 82.17 për qind të votuesve.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 përqind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 përqind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës votat me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.