Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Vetëm 41 deputetë mbesin në sallë, s’ka kuorum për rezolutën nga interpelanca e parë e Hotit

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum që ta votojë rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, pas interpelancës së kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit tha se në sallë janë vetëm 41 deputetë.

“41 deputetë në sallë  nuk ka kushte për votim, përveç në qoftë se kemi ndonjë informatë nga kryetarët e grupeve që mund të vijnë deputetë ndërkohë. Nuk po shoh që ka atëherë mund të vazhdojmë me interpelancat e tjera”, theksoi ajo.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli paraprakisht prezantoi rezolutën pas interpelancës së Hotit, e cila i ka këto pika:

  1. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Organizata ndërkombëtare është objektiv i shprehur përmes deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimin për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare prandaj obligohet Qeveria e Kosovë që brenda dy javësh t’i dërgojë Kuvendit planin e veprimit për përgatitjen dhe aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare;
  3. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të mundësoj dhe të përdorë të gjitha mekanizmat kushtetues e ligjore me qëllim të realizimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.