Ilustrim

Vetëm 3 për qind e popullatës do të vaksinohen në fazën e parë të arritjes së vaksinës anti COVID-19

Sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit (PSHV) në fazën e parë të arritjes së vaksinës do të vaksinohen vetëm 3 për qind e popullatës.

Sipas këtij plani në këtë 3 për qindësh, do të jenë 54 mijë punëtorë shëndetësorë dhe persona të moshuar duke mos specifikuar sa do të jetë ky numër.

Ndërsa qytetarët e tjerë të kategorive të caktuara me këtë plan, do të vaksinohen në fazën e dytë të arritjes së vaksinës. Në fazën e dytë sipas planit do vaksinohen 17 për qind e popullatës apo 306 mijë qytetarë.

Në fazën e parë dhe të dytë, qytetarët do të vaksinohen me vaksinën e COVAX, e cila pritet të vijë në Kosovë gjatë muajve prill deri në muajin maj.

“Sipas planit të pasqyruar në këtë dokument të PSHV, futja në përdorim e vaksinës kundër COVID-19 do te bëhet gjate tri fazave. Në fazën e parë të futjes në përdorim të vaksinës, 3% e popullsisë (apo 54,000 punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar) do të vaksinohet. Në fazën e dytë – pjesa tjetër e popullsisë prej 17% (306,000 njerëz) do të vaksinohen. Gjatë fazës së parë dhe të dytë të futjes në përdorim të vaksinës vendi do t’i përdorë vaksinat nga mekanizimi COVAX AMC i Aleancës Gavi, ku Kosova është njëra ndër vendet e kualifikuara”, thuhet në planin e vaksinimit.

Në fazën e tretë të futjes në përdorim, sipas Planit për Vaksinim, vaksinimi do të shtrihet në pjesën tjetër prej 50 për qind (apo 900,000 persona) të popullsisë në mënyrë që të arrijë cakun prej 70 për qind të mbulimit me vaksinim të përcaktuar nga vendi.