Vetëm 12 kryetarë komunash marrin pjesë në takim me kryeministrin, për të diskutuar për pandeminë

Pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mbajti takim me kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rëndësinë dhe angazhimin e gjithmbarshëm në përballje me pandeminë.

Sipas një komunikate të lëshuar nga kabineti i kryeministrit Kurti, thuhet se masat kundër virusit COVID-19, të ndërmarra së fundmi nga qeveria janë të domosdoshme, por për të qenë të mjaftueshme në arritjen e qëllimit, ato duhet të zbatohen në përpikëri.

“Karakteristikat specifike të variantit Delta e bëjnë atë të fortë, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi se varianti Delta karakterizohet me një numër riprodhues jashtëzakonisht të lartë, sipas së cilit çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë, ka interval serial jashtëzakonisht të shkurtër me ç’rast çdo person i infektuar mund të infektojë të tjerët mesatarisht 2.5 ditë pasi që është infektuar vetë dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ngjarjeve super-shpërndarëse. Prandaj nuk kemi hapësirë për të gabuar në zbatimin e masave, tha kryeministri Kurti dhe se mjaftueshmëria e masave të domosdoshme nuk varet vetëm nga Qeveria”, thuhet në komunikatë.

Kurti ka thënë se nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave, sidomos në mes të Policisë, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të AUV-it.

“Derisa mjekët dhe infermierët shërojnë pasojat e virusit, parandalimi i tyre mbetet përgjegjësi e mekanizmave mbikëqyrës të zbatimit të masave kundër virusit”, citohet të ketë thënë kryeministri.

Ai theksoi se përveç Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha dikasteret e qeverisë janë në shërbim dhe funksion të këtij bashkëpunimi.

Në komunikatë thuhet se në takim ishin të pranishëm kryetarët e 12 komunave të Kosovës, të cilët njoftuan për vështirësitë teknike që kanë në komunat e tyre në përballje me pandeminë.

Kryeministri Kurti tha se së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia do të jetë në komunikim të vazhdueshëm edhe me komunat e tjera që nuk ishin të pranishëm në takim.

Gjatë ditës së sotme, Sazan Ibrahimi, drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se Bordi i Asociacionit të Komunave i cili përbëhet nga 7 kryetar të partive të ndryshme dhe etnive të ndryshme u ka bërë këtë ftesë kryetarëve të Komunave të Kosovës mos të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

Ibrahimi tha për KALLXO.com, tha se ftesa për mos të marr pjesë në takim është largimi i Asociacionit të Komunave, nga Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e kishte mbajtur mbledhjen e parë të Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Kurti: Të jemi më të rreptë në kontrollimin e masave anti-COVID