Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për sulmin me thikë në Ferizaj, Policia arrestoi personin e gabuar
I dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë në Ferizaj, është dorëzuar në Policinë e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm (12.11.2024).
62-vjeçari Fadil Islami dyshohet se dje, më 11.11.2024, ka sulmuar me thikë katër persona, dy vajza të mitura dhe dy burra, në tri lokacione të ndryshme në Ferizaj.
Fillimisht, për shkak se i’u është përshtatur profilit të të dyshuarit, Policia kishte arrestuar një person tjetër, i cili më pas me aktvendim të prokurorit është liruar.
Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se i dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë kishte qenë i dënuar për vrasje.
Siç bëhet e ditur, i dyshuari ka qenë i dënuar me burgim dhe siç mësohet nga burgu është liruar në shkurt të këtij viti.
Sipas Policisë, dy viktimat e mitura janë të komunitetit ashkali, ndërsa njëri prej burrave të lënduar është shtetas i Shqipërisë.
Tre prej katër personave që u therën me thikë në Ferizaj nga një person i moshës madhore po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Vajza rreth 10-vjeçare që u ther me thikë në Ferizaj në rrezik për jetë
Ndërkaq, për këtë rast, dje më 11.12.2024 ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka thënë se “drejtësia duhet t’a thotë fjalën e vet”.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”. Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrethana ende të pasqaruara.