Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Vetëdorëzohet në Polici edhe një i dyshuar për kontrabandë në Karaçevë
I dyshuari L. S. për kontrabandim të mallrave në Karaçevë të Kamenicës është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia kanë njoftuar se si rrjedhojë e aksionit të përbashkët në fshatin Karaçevë, sot në Polici në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është vetëdorëzuar personi i dyshuar.
Me vendim të prokurores së rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi i mallrave’’.
Bazuar në njoftim, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.
Deri më tani ka shkuar në 31 numri i personave të ndaluar si rezultat i këtij operacioni.
30 të arrestuarit të tjerë në aksionin e së premtes në fshatin Karaçevë janë dërguar në paraburgim.
12 nga të arrestuarit janë zyrtarë policorë, të cilët po dyshohen për ndihmë në kontrabandë e lojëra ilegale të fatit. Të njëtëve sipas rekomandimit të Inspektoriatit Policor të Kosovës u është vazhduar suspendimi.
30 nga 35 personat e arrestuar në aksionin në Karaçevë kanë dalë para dy ditësh para gjyqtarit të procedurës paraprake Ramiz Azizi, i cili vendosi që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë.
Të njëjtit zyrtarë policorë po dyshohen se në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar e fshehur si dhe nuk kanë penguar kontrabandimin nga ana e të pandehurve të tjerë (qytetarë të arrestuar të premten) të cilët duke kaluar vijën kufitare, kanë shmangur kontrollin doganor përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandim të mallrave të ndryshme.