Vetë-izolohet një pjesë e personelit mjekësor në Klinikën e Biokimisë në QKUK

7 persona nga personeli mjekësor në Klinikën e Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë vetë-izoluar.

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në QKUK, Shemsi Veseli, ka treguar për KALLXO.com se që nga dita e diel, ai dhe gjashtë persona të stafit mjekësor janë në vetë-izolim.

Sipas Veselit, ata janë vetë-izoluar pasi kanë pasur kontakt me një person i cili ka pasur indikacione të virusit COVID-19.

“Në kontakt të parë me personin e prekur kemi qenë 4 veta, ndërsa pastaj me ne kanë qenë në kontakt edhe 3 kështu që numri në total që jemi në vetë-izolim jemi 7”, ka treguar Veseli.

Veseli ka thënë edhe pse kjo pjesë e personelit mjekësor janë në vetë-izolim, puna në klinikë nuk është rrezikuar.

“Shërbimi në klinikë nuk është i rrezikuar meqë janë edhe 19 dr. specialista dhe 6 specializanta dhe 16 laboranta kështu që ky numër është mbase i mjaftueshëm për t’i kryer shërbimet e analizave për gjithë të hospitalizuarit por edhe për të infektuarit me COVID-19”, ka përfunduar Veseli.

8 raste të reja me coronavirus, numri shkon në 79