Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com
Vetaksident në rrugën Gjilan-Prishtinë, automjeti përfundon në pendën e Livoqit
Shoferja e një automjeti ka mbetur e lënduar, pas një vetaksidenti mëngjesin e sotëm në rrugën Prishtinë-Gjilan. Automjeti ka përfunduar në pendën e Livoqit, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani për KALLXO.com, ka bërë të ditur se drejtuesja nuk e ka përshtatur shpejtësinë ku për pasojë ka dal jashtë rruge, goditur një makinë të parkuar e më pas ka rënë në ujin e pendës.
Hashani shtoi se ngasësja pas trajtimit në qendrën emergjente është liruar për në shtëpi.
“Nga hetimet e para dyshohet se ngasësi i automjetit me targa vendore (femër kosovare) duke mos përshtatur shpejtësinë kushteve të rrugës në kthesë, del jashtë rrugës, godet një automjet tjetër i cili ishte i parkuar dhe përfundon në ujin e pendës. Në këtë rast përpos dëmeve materiale në dy automjetet, lëndime trupore pëson vozitësja e lartcekur e cila pas trajtimit në qendrën emergjente është liruar për në shtëpi”- ka thënë Hashani.
Sipas tij, automjeti është larguar me ndihmën e zjarrfikësve dhe kompanisë për tërheqje.
Derisa, rrethanat e aksidentit po hetohen nga policë hetues të aksidenteve të komunikacionit rrugor.
Aksidenti ka ndodhur sot në ora 05:50.