Foto: KALLXO.com

Vështirësitë e prindit për të shkolluar fëmijën me aftësi të kufizuara (VIDEO)

Sabedin Ademaj detyrohet që çdo të hënë dhe të premte ta bëjë rrugën Petrovë – Prizren – Petrovë për ta çuar dhe për ta marrë djalin e tij nga Qendra Burimore “Nëna Terezë” në Prizren, në të cilin ai vijon mësimin.

Për shkak se një qendër e tillë nuk ekziston në Shtime, djali 10-vjeçar i cili është shurdhmemec bashkë me babanë e tij marrin rrugën nga Petrova e Shtimes për në Prizren për t’u shkolluar.

Kjo situatë po i krijon këtij prindi shpenzime të papërballueshme. Prandaj, ai ka dërguar kërkesa në Ministri të Arsimit dhe në Komunën e Shtimes për t’ia mbuluar shpenzimet e transportit.

Ligji për Arsimin Parauniversitar thotë që Ministria e Arsimit siguron transport falas për fëmijët që vijojnë qendrat e burimeve.

“Ministria siguron transport falas, të sigurtë dhe të përshtatshëm apo aranzhon kujdes rezidencial të përshtatshëm, sipas vlerësimit profesional individual, për fëmijët që vijojnë shkollat speciale, qendrat e burimeve dhe për njësitë e tjera të themeluara sipas kësaj pjese” – thuhet në nenin 42 të këtij ligji.

Por Ministria e Arsimit këtë rast e ka referuar në Komunën e Shtimes.

“Kërkojmë që të përmbushni obligimet financiare lidhur me transportin dhe fëmija të vijojë mësimin si e drejtë e garantuar me Ligjin nr.04/L-32” – thuhet në emailin e Ministrisë së Arsimit dërguar Komunës së Shtimes dhe Ademajt.

Komuna e Shtimes ka mbështetur Ademajn me 490 euro në fillim të këtij viti. Mirëpo, kjo shumë nuk ka qenë e mjaftueshme për të. Ademaj tregoi që ka bërë sërish kërkesë për mbështetje financiare për vitin e ri shkollor, që ka filluar në shtator.

“120 euro deri në 130 brenda muajit i shpenzoj, më pak se aq nuk bën hiç, se nuk muj, s’muj me ia dal, se mbet djali pa shkollë.” – u shpreh Ademaj.

Por, Komisioni vlerësues i Rregullores për Ndarjen e Subvencioneve dhe Transfereve të Shtimes e ka refuzuar kërkesën e tij, pasi që sipas kësaj rregulloreje, një person mund të subvencionohet vetëm një herë në vit, me shumën maksimale 500 euro.

“Iu kanë referu një ligjit të 2017-tës që nuk lejon përmbi 500 euro” – tha prindi i 10-vjeçarit.

Ademaj tregoi që u ka thënë zyrtarëve komunalë që nëse nëse nuk e merr këtë mbështetje, ai do të detyrohet që t’ia ndalojë fëmijës shkollimin. Megjithatë, ai vazhdon të insistojë në kërkesën e tij, derisa institucionet t’i gjejnë një zgjidhje, duke treguar edhe sakrificën që ai ka bërë, për t’ia mundësuar djalit të tij shkollimin.

“Edhe vendin e punës ku punoj, e kam ndërru, se kam qenë duke punu në administratë, por të hanën dhe të premten nuk guxojsha me mungu. Tash kam dalë në portë punoj, e kam zvogëlu pagën, si prind nuk kam kah shkoj ma shumë, kisha kërku bile, së paku me më mirëkuptu komuna, shteti” – tregoi ai.

Drejtori i Arsimit në Shtime, Lulzim Sahiti, tha për KALLXO.com që pas refuzimit nga Komisioni në Komunën e Shtimes, ai ka dërguar rekomandim që t’i plotësohet kërkesa. Por, përgjigja e Komisionit ka qenë sërish negative.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga MASHTI dhe ka pyetur nëse do të bëhet një zgjidhje për këtë rast. Ministria ka thënë se do t’ia sigurojë transportin gjatë kohës që komuna nuk mund ta bëjë këtë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do t’ia sigurojë transportin nxënësit për të cilin keni kërkuar përgjigje. Kjo mbështetje do të realizohet deri në datën të cilën komuna do të fillojë ndarjen e mjeteve, siç na ka njoftuar zyrtarisht” – thuhet në përgjigjen e plotë të MASHTI-t.