(Ilustrim) Zjarri fushor në Maxherë - Foto: KALLXO.com

“Vështirë të marrësh frymë” prej tymit të zjarreve në Athinë

“Është e vështirë të marrësh frymë kur je atje” – thekson një gazetar grek për programin e BBC-së, “Newshour” pas përhapjes së zjarreve në afërsi të kryeqytetit grek, Athinë.

“Në disa zona, ajri është asfiksues dhe mund të shihni tym të zi përreth shtëpive dhe lagjeve” – ka thënë Ioannis Papadopoulos, reporter i gazetës “Kathimeri”.

Zjarret e egra janë përhapur nga erërat e furishme në rrethinën e Athinës, derisa mijëra banorë janë detyruar të zhvendosen.

Në Athinë ajrit i vjen era tym, është jashtëzakonisht nxehtë dhe qielli është nxirë prej tymit.

Zjarri ka përfshirë shtëpitë në Varnavas, rreth 35 kilometra në juglindje të kryeqytetit grek, dhe një spital fëmijësh dhe një qendër mjekësore janë strehuar në mëngjes, ka bërë të ditur shefi i brigadës lokale të zjarrfikësve.

Rreth 670 zjarrfikës po përballen me flakët e zjarreve, që shpërthyen të dielën pasdite.

Banorët në vijën e frontit me zjarrin po jetojnë me frikën e përhershme, ka thënë reporteri Papadapoulos.

“Çdo verë ata shqetësohen se një tjetër zjarr do të shpërthejë dhe se mund të jenë në rrezik” – ka thënë ai. “Në një zjarr të egër, thelbësor është reagimi i parë, sa shpejt mund të arrijnë ekipet e zjarrfikësve në vendin e ngjarjes dhe sa shpejt mund ta lokalizojnë atë”. Ai ka thënë se edhe nëse zjarrfikësit mbërrijnë vetëm pesë minuta pas shpërthimit të zjarrit, është e vështirë të lokalizohet vatra.

“Mendoj se problemi është kur ekipet e zjarrfikësve duhet të merren me dy ose tri vatra zjarresh në të njëjtën kohën në pjesë të ndryshme të Greqisë” – ka shtuar ai.

Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile ka aktivizuar zyrtarisht ndihmën nga Italia, Franca, Rumania dhe Çekia për Greqinë, gjithashtu anëtare e Bashkimit Europian.

Një helikopter “Super Puma” pritet të mbërrijë nga Franca, një fluturake kanadeze nga Italia dhe 75 helikopterë bashkë me 25 kamionë nga Republika Çeke. Ndihmë pritet të ketë edhe nga Spanja dhe Turqia.

Ka më shumë se 24 orë që janë ndezur vatrat e zjarreve dhe zjarrfikësit ende nuk ia kanë dalë t’i lokalizojnë.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com