Vojisllav Sheshel - Foto: REL/AFP

Veseli: Vojsllav Sheshel, ky fosil i shovinizmit të shekullit të kaluar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Radikale Serbe, Vojsllav Sheshel, i cili ka bërë thirrje për agresion ushtarak ndaj Kosovës.

“Shesheli dhe paramilitarët që e kanë ndjekur, e kanë treguar botërisht mungesën e burrërisë në luftë, sepse nuk kanë guxuar të ballafaqohen me ne luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kanë masakruar civilë të paarmatosur, gra pleq e fëmijë të pafajshëm”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Më tej Veseli ka thënë se Shesheli duhet ta kuptojë që koha e tij ka përfunduar dhe se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

“Ky fosil i shovinizmit të shekullit të kaluar dhe propagandues i iluzioneve të dështuara për Serbi të Madhe, duhet ta kuptojë që koha e tij ka perënduar moti dhe se liria e Kosovës e fituar 20 vjet më parë është e pakthyeshme”, ka përfunduar Veseli.