Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit

Veseli vlerëson faktin që nuk u arrestua nga autoritetet e Hagës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi që ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj tij, ka theksuar se e vlerëson lart faktin që ka marrë ftesë për paraqitje dhe nuk është arrestuar.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjese për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, ka shkruar ai.

Situatë e njëjtë nuk ka qenë me ish-bashkëpartiakun e Veselit dhe ish-zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili dje u arrestua pas një bastisje disa orëshe nga hetuesit e Speciales.

Tutje Veseli ka thëne që do të tërhiqet nga aktivitetet politike përderisa në Hagë të vazhdoj procesi ndaj tij.

“Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqendrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, ka theksuar ai.

Më 7 nëntor të vitit të kaluar Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale, ndërsa është intervistuar më 10 nëntor.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

Konfirmohet aktakuza për Kadri Veselin