Veseli viziton kalanë e Novobërdës

Kryeparlamentari, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli është shprehur krenar me kalanë e Novobërdës dhe flamurin e Kosovës e vendosur në të.

Veseli në Facebook ka shkruar se Serbia e ka të kotë që përpiqet ta përvetësojë kulturën dhe trashëgiminë e Kosovës.

“Krenar me kalanë e lavdishme të Novobërdës, këtë perlë të trashëgimisë sonë kulturore dhe këtë vendbanim antik që ndër shekuj ka shërbyer si udhëkryq qytetërimesh. Krenar akoma më shumë me flamurin e bukur të Kosovës ,që valvitet krenar në kullat e saj, si dhe me policinë dhe institucionet e tjera të shtetit që kujdesen për monumente e vyera të Kosovës”, ka shkruar ai.

Edhe pse ende nuk janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, Veseli ka dhënë një premtim, në rast se do të bëhet kryeministër i Kosovës.

“Si kryeministër i ardhshëm nuk do të lejoj që të instrumentalizohet politikisht apo të preken nga askush dhe për asnjë motiv kjo pasur e lashtë e Kosovës.Ne kemi për tja kthyer lavdinë e dikurshme Novobërdës, jo vetëm duke e bërë një atraksion ndërkombëtar të turizmit kulturor por edhe duke rimëkëmbur minierën e vjetër”, thuhet në shkrimin e tij.

I pari i PDK-së ka shtuar se kudo në Koosvës sheh potencial për zhvillim.

“Kudo ku shkoj në Kosovë, shoh se ka potencial të madh zhvillimi dhe jam i bindur se e po të ndjekim drejtimin e duhur politik, kemi për të hapur shumë vende të reja pune për rininë”, ka shkruar ai.