Veseli: Shpresojmë që seanca e sotme t'i hapë rrugë krijimit të Qeverisë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,pas mbajtjes së seancës konstituive ka thënë se shpreson që dita e sotme do t’i hapë rrugë krijimit të Qeverisë.

“Sot është konstituuar Kuvendi i Kosovës. I uroj gjithë qytetarët. Shpresojmë që dita e sotme do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve apo qeverisë sepse jemi shtetet i ri dhe janë normalet rotacionet demokratike”, ka shtuar kreu i PDK-së.

Ish-kryekuvendari ka theksuar se nuk duhet të krijohen kriza artificiale.

“Nuk duhet të krijojmë kriza artificiale të cilat mund ta vënë situatën e qytetarit në një krizë sociale, siç janë marrja e pagave në muajin shkurt dhe mars”, ka shtuar Veseli.

Sot në seancën konstituive janë zgjedhur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe nënkryetarët, Arbërie Nagavci, Kujtim Shala dhe Memli Krasniqi.

Kjo seancë është drejtuar nga deputeti më i vjetër, Jahja Koka, dhe deputetja më e re, Fjolla Ujkani, të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.