Veseli shpalos planin e tij për luftën kundër korrupsionit

Kryetari i PDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Kadri Veseli. ka prezantuar 7 pikat e planit të tij për luftën kundër korrupsionit në Kosovë.

Duke iu referuar refuzimit të partive për të nënshkruar paktin e tij kundër korrupsionit, Veseli në një konferencë për media ka thënë që kjo iniciativë po përkrahet nga qytetarët.

“Kam nisur paktin kundër korrupsioni që për fat të keq e refuzuan partitë politike, por për fat të mirë po nënshkruhet masovikisht nga qytetarët”, tha ai.

Veseli ka paraqitur 7 pika të planit, të cilat, sipas tij, do të zbatohen gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes.

1. Do të krijohet byroja anti-korrupsion. Kjo do të jetë një strukturë e posaçme ligjzbatuese kundër korrupsionit, që do të krijohet në partneritet të ngushtë me ShBA-të dhe BE-në duke ndjekur modelet e suksesshme dhe të ngjashme të vendeve tjera. Byroja anti-korrupsion do të jetë institucion ombrellë që do të përbëhet prej departamentit të posaçëm të prokurorisë për luftimin e korrupsionit, departamentit të posaçëm gjyqësor kundër korrupsionit si dhe policisë gjyqësore të posaçme. Zyrtarët e saj do të përzgjidhen përmes një procesi rigoroz të monitoruar nga partnerët tanë dhe shoqëria civile, drejtuesit do të votohen me votim të cilësuar në parlament, për të siguruar një drejtim sa më profesional e kredibil të byrosë.

2. Do të propozoj një ligj të posaçëm kundër nepotizmit. Ky ligj do t’i japë fund punësimeve familjare partiake nëpër institucione  shtetërore, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin dhe institucionet e sigurisë. Me këtë ligj do të rritet transparenca dhe në mënyrë maksimale do të krijohen shanse të barabarta për rininë që të punojë dhe të jetojë këtu.

3. Si kryeministër unë do ta rikthej besimin e publikut në sistemin gjyqësor dhe në polici nëpërmjet vetingut. Kështu do të pastrohen radhët e sistemit tonë të drejtësisë dhe policë nga zyrtarët e korruptuar, ndërsa do të mirëpresim njerëz të rinj që do të bashkohen me ne në luftën kundër korrupsionit.

4. Do të themelohet fondi i konfiskimit. Keqbërësit, të korruptuarit nuk kanë për ta gëzuar pasurinë me aktivitete kriminale sepse ajo do t’u konfiskohet. Kemi për t’i gjetur paratë e vjedhura, kemi për t’i konfiskuar pasuritë e tyre të tundshme e të patundshme dhe me ato para dhe pasuri do të forcojmë edhe më shumë dorën e ligjit.

5. Do të krijohet një komision i përhershëm parlamentar kundër korrupsionit. Ky komision do të drejtohet nga opozita për të garantuar maksimumin e paanshmërisë. Me anë të tij do të rris presionin dhe kontrollin e legjislativit ndaj institucioneve publike.

6. Do të legalizojmë 350 mijë ndërtime pa leje, ku mbahen të bllokuara miliarda euro kapital i papërdorshëm i qytetarëve tanë. Bëhet fjalë për ata qytetarë që shantazhohen duke mos ia dhënë titullin e pronësisë nga disa zyrtarë që i kërcënojnë me shkatërrimin e pronës nëpër komuna. Ne do të ndërmarrim një proces të përshpejtuar të legalizimeve të ndërtimeve pa leje  Ata do të paguajnë 1 euro për metër katror legalizim, Brenda 2 vitesh do të legalizohen të gjitha ndërtimet pa leje që nuk cenojnë interesin apo pronën publike.

7. Do të instalohet parimi i përgjegjësisë civile për zyrtarët publikë. Me ligj të posaçëm do të krijohet përgjegjësia civile për çdo funksionar, përfshirë këtu edhe gjyqësorin, dëmet shkaktuara nga vendimet e zyrtarëve, nuk do t’i marrë vetëm shteti por edhe zyrtari.

‘Pakti’ kundër korrupsionit, fushatë para zgjedhjeve

.