Veseli premton rritjen e granteve për fermerët e Lipjanit

Kandidati për kryeministër nga PDK, ka premtuar rritjen e granteve  dhe subvencionet për fermerët në Lipjan.

“Partia Demokratike e Kosovës është shpresë edhe për Shalën e Lipjanit. Ne do t’i rrisim grantet investive dhe subvencionet për fermerët e vyeshëm të kësaj ane. Do ua subvencionojmë interesin deri në 80 për qind të gjithë prodhuesve që marrin kredi për prodhim apo eksportim të produkteve “Made in Kosova”, ka shkruar Veseli në postimin e tij në facebook.

Veseli këtë e ka premtuar gjatë një tubimi të mbajtur në Shalën e Lipjanit , ku ka premtuar edhe asfaltimin e rrugës në këtë fshat.

“Ata që e punojnë tokën do të mbështeten edhe në krijimin e lidhjeve me tregje për plasimin e produkteve bujqësore, sepse ne do t’i asfaltojmë edhe 500 kilometra rrugë për t’i lidhur zonat rurale me qendrat urbane”, ka shkruar Veseli.

Ai tutje ka premtuar se Kapitalin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive do ta rrisin në qindra miliona euro.

“Do ta themelojmë dhe zhvillojmë edhe Fondin për Punësim të Qëndrueshëm në shumë prej 200 milionë euro, i cili objektiv do ta ketë punësimin e të rinjve”, ka premtuar Veseli.