Veseli: Partitë opozitare propozuan datën e seancës për shpërndarjen e Kuvendit

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka folur në një intervistë për RTV21 rreth mbajtjes së seancës për shpërndarjen e Kuvendit e cila do t’i paraprinte shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në këtë intervistë, Veseli  ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet për skenarë të mundshme për dështimin e kësaj seance.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme, askush nuk duhet t’i frikësohet vullnetit të qytetarëve, dhe ky do të jetë drejtimi jonë. Më 22 gusht do të kemi seancën e shpërndarjes dhe pas asaj do të respektohen afatet kushtetues për të pasur 30 deri në 45 ditë zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Veseli.

Pas caktimit të datës 22 gusht për mbajtjen e seancës për shpërbërjen e Kuvendit, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje duke e kundërshtuar këtë datë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se 22 gushti është datë shumë e largët për shpërbërjen e kuvendit, duke treguar dy arsyet që sipas saj tregojnë se 22 gushti nuk është data adekuate.

“Caktimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit me datë 22 duket shumë i largët për dy arsye të paktën. Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se në mbledhjen e kryesisë e cila u mbajt sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një datë tjetër për mbajtjen e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.

Në lidhje me këto deklarata, Veseli ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se janë partitë opozitare ato të cilat kanë menduar për këtë datë.

“Partitë opozitare janë ato të cilat e kanë menduar një datë e cila do të ishte më e pranueshme dhe kemi ardhur tek data e 22 gushtit. Për këtë çka po flas e kemi dhe procesverbalin e mbledhjes të cilin mund ta bëjë publik në rast se ka reagime”, ka thënë Veseli.

Ndërsa kur është pyetur nëse Partia Demokratike e Kosovës do të shkojë në koalicion parazgjedhor në këto zgjedhje apo do të garojë e vetme, Veseli ka thënë se PDK shkon me bindje të plotë për fitore.

“Partia Demokratike e Kosovës shkon në zgjedhje me bindjen e plotë se vullneti i qytetarëve është i shenjtë, shkojmë me bindje me fitu, nuk do t’i japin kryeministrin askujt që nuk është i gatshëm ta çojë deri në fund”, ka thënë Veseli.