Veseli paralajmëron rrëzimin e qeverisë, thotë se do ta kthejë PDK-në pushtet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Kadri Veseli ka thënë sot nga Prizreni ka kritikuar qeverinë e kaluar të udhëhequr nga Albin Kurti ndërsa ka thënë se të këqijat e saj i ka trashëguar edhe qeveria Hoti.

“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, citohet të ketë thënë Veseli.

Sipas komunikatës së lëshuar nga PDK, Veseli ka thënë se qeveria e re e udhëhequr nga Avdullah Hoti vetëm se e ka vazhduar mashtrimin e qeverisë paraprake.

“Do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare. Me qëndrimin në opozitë, ne duam të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe votueseve tanë. Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti. Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK” ka thënë ndër të tjera Veseli.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Sot shënojmë me krenari 142-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizimit patriotik e politik mbarë-kombëtar, që sendërtoi kërkesat e shqiptarëve për një shtet të pavarur e bashkim të trojeve shqiptare kudo.

Nderojmë e kujtojmë me krenari këtë kryevepër historike shqiptare dhe udhëheqësit themelues të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin, që e nisën fushatën politike e ushtarake për një rimëkëmbje gjithëshqiptare.

Ndërtesa që vizituam më parë – është tempull i shqiptarizmit. Nga këtu, ne duhet ta gjejmë çdoherë frymëzimin për të ecur përpara të bashkuar.

Sot, po ashtu, me krenari shënojmë 21-vjetorin e fundit të sundimit serb, përkatësisht ditën e nënshkrimit të kapitullimit të Serbisë agresore, që pas gati një shekulli i hapi rrugë lirisë së merituar të shqiptarëve.

Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës, jetës së mijëra vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, e në veçanti falë organizatës ushtarake-politike më të denjë pasardhëse të LSHP-së, e kalitur në sfidat e rënda të luftës për liri dhe triumfuese: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Falë edhe SHBA-ve dhe aleatëve tanë perëndimorë.

28 nëntor 1912 dhe 17 shkurti 2008, pas 10 qershorit 1878 dhe pas 10 qershorit 1999, janë dy momente historike unike për shqiptarët, që simbolizojnë dy histori të ndara padrejtësisht të shqiptareve, por dhe dy krenari të suksesit të tyre, që askush nuk ka të drejtë t’i paragjykojë, sulmojë dhe as cenojë për asnjë synim ose arsye.

Këto ngjarje historike dhe projekte politike as nuk përfaqësohen, e as nuk mbahen me simbolika, por jetësohen me veprime dhe vendime konkrete.

Bashkëpunimi dhe përafrimi i pandalshëm me Shqipërinë ka qenë dhe është busulla jonë kombëtare.

Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve.

Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare.

Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë.

Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe Kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare.

Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë.

Angazhimi ynë është për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo, mos-cenimin e kufijve të Kosovës, ruajtjen e lirisë dhe mbrojtjen e vlerave çlirimtare të popullit tonë.

Do ta sanksionojmë me ligj çfarëdo cenimi të këtyre vlerave historike dhe luftën e drejtë të UÇK-së.

Do të dënohet mohimi i krimeve të kryera nga Serbia dhe do të punojmë për të kërkuar drejtësi për çdo të vrarë e të zhdukur në Kosovë.

Do ta shënojmë dhimbjen tonë historike me muze dhe përkujtimore, ndërkohë që kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës ligjin për vlerat e luftës.

Orientimi ynë është djathtist, që promovon të drejtat dhe liritë qytetare dhe lufton për to.

Ekonomia e konkurrencës është princip bazë i angazhimit tonë. Më pak fuqi Qeverisë dhe politikanëve, e më shumë fuqi ndërmarrëseve dhe të rinjve.

Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime. Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit.

Ky do të jetë angazhimi im dhe i PDK-së.

Mposhtja e së keqes është domosdoshmëri.
Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen dhe do t’i ndalim.

E kam filluar nga brenda dhe do ta çrrënjos deri në fund në tërë Kosovën.

Procesi i Vetingut për ndjekur e dënuar çdo të korruptuar dhe uzurpator të pronave publike, nuk është akt deklarativ, siç ka menduar qeverisja e mashtrimit.

Duhet dhe do të jetë platformë e përgjithshme që do ta luftojë krimin.

Siguria e sotme dhe e nesërme për Kosovën është jetike. Do të angazhohemi që Ushtria e Kosovës, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të rritet, profesionalizohet dhe bëhet pjesë e NATO-së. Krahas sigurisë, do të punojmë çdo ditë për barazi e drejtësi për secilin qytetar. Shanse të barabarta për të gjithë.

PDK është në opozitë.

Do t’i mbrojë qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare.

Me qëndrimin në opozitë, ne duam të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe votueseve tanë.

Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti.

Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK.

Ne do të jemi opozitë për t’i hapur një derë të re një epoke të madhe të shqiptarëve.

Njerëz të rinj dhe ide të reja – do të jenë themel i projektit tim të ri me PDK-në për Kosovën!

PDK do të angazhohet për një Qeveri të vogël, por në funksion të rritjes së madhe te mirëqenies ekonomike, punësimit e cilësisë më të madh në arsim.

Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë.

Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces.

E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav.

PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme.

Sot vizitova edhe ish ndërtesën e burgut në Prizren, të ngritur në vitin 1945, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë. Asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë vuajtjet tona për liri, duhet shënuar e respektuar me dinjitet nga qytetarët dhe shteti.

Ky burg tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit.

Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj.

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Prizreni e simbolizon më së miri këtë.

Me Shqipërinë kurrë nuk do të mbyllen më kufijtë.

Me shtetin që përfaqëson gjysmën e kombit tonë, ne do të lëvizim me një agjendë të përbashkët mbarë-shqiptare të heqjes së barrierave ekonomike, tregtare dhe do lëvizim me projekte të përbashkëta afrimi, e jo ndarje e bllokimi. Duhet unifikimi i taksave dhe politikave doganore, po ashtu qëndrime strategjike unike.

Na duhet bashkim forcash e idesh për ta çuar përpara agjendën integruese ndër-shqiptare dhe atë evropiane.

Të dashur qytetarë,

Sot jemi në kryeqytetin historik të shqiptarëve – i shpallur edhe në Kuvendin e Kosovës, në qytetin e bukur të lirisë dhe tolerancës, ku bashkëjetojnë pa dallim etnie dhe feje të gjithë.

Qytetin universitar të mendimtarit të madh Ukshin Hoti.

Edhe pak, nisin ditët e rëndësishme të çlirimit tonë. Nuk mund të vështrojmë prapa e të kënaqemi, por as nuk mund të pranojmë që mashtruesit të hedhin baltë mbi 21 vjet liri e krenari.

Nuk mund t’i pranojmë mashtrimet e atyre që premtojnë shumë dhe dështojnë gjithçka.

Shembulli tipik i kësaj është ky qytet i bukur, që duke u qeverisur me papërgjegjshmëri dhe korrupsion, ka ngufatur qytetarët dhe qytetin.

Ky qytet ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit VV-LDK.

Fatkeqësisht, shumë korrupsion e hajni, dëmtim të zonës historike, e të potencialit të turizmit.

Ky koalicion mashtrimi, që braktisi qytetarët në Prizren këto ditë, e ndoqi shembullin e qeverisë 100-ditëshe të mashtrimit e status quos-së VV e LDK në qendër.

Këta nuk meritojnë më votë dhe duhet të ndëshkohen. Prizreni, si gjithë Kosova, meriton më shumë dhe më mirë. Vetëm PDK mund ta bëjë këtë.

Ne ishim partia që e themeluam Universitetin e Prizrenit, ku sot vijojnë studimet mbi 15 mijë të rinj e të reja nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

E shndërruam në qytet të pastër, mbrojtëm me ligj zonën historike dhe e kthyem në atraksion turistik.

Ne arritëm ta përmbyllim gjatë qeverisjes sonë autostradën kombëtare, duke e shndërruar Prizrenin në qytetin më të rëndësishëm mes Prishtinës e Tiranës.

Tani është koha ta lidhim gjatë qeverisjes së ardhshme të PDK-së edhe me Tetovën.

Premtime për autostradë me Tetovën nga Prizreni keni dëgjuar gjatë fushatës nga një parti që thirret në ngjyrat kuq e zi, por kurrë nuk e përmendi kur erdhi në pushtet. Madje, as që planifikoi buxhet për të, siç kishte premtuar.

Vitin e ardhshëm do t’ia kthejmë Prizrenit qeverisjen e PDK-së, ashtu si dhe gjithë Kosovës, me përkrahjen e madhe qytetare dhe do të qeverisim me njerëzit më profesionistë dhe më të mirë.

Nuk ka kthim prapa. Ka vetëm fitore dhe ecje përpara.