Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së - 20.07.2019

Veseli nominohet për kryeministër, premton qeveri pa aktakuza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër Kadri Veseli ka deklaruar se 6 tetori është referendum për të ardhmen e Kosovës.

“Me 6 tetor ne fitojmë për të mos i lënë të tjerët ta dështojnë Kosovën. Me 6 tetor ne do të fitojmë me besimin qytetar për të treguar se Kosova është besimi dhe jeta jonë. Do të fitojmë për t’u treguar të gjithëve se ata që promovojnë më shumë rininë dhe u japin atyre një shans të vërtetë, do ta udhëheqin vendin”, ka thënë ai në konventën e PDK-së për nominimin e tij për kryeministër.

Veseli ka përsëritur edhe njëherë zotimin e tij për ta luftuar korrupsionin dhe nepotizmin.

“Nëse duam ta luftojmë korrupsionin, gjëja e parë është ta pranojmë problemin dhe të fillojë ndryshimi nga shtëpia. Të tjerët po bëjnë gabime, PDK është e vetmja që e ka vullnetin për t’i përmirësuar ato. Ne do të bëjmë një qeveri pa aktakzua, që do të jetë e vogël në numër, por me njerëz të rinj”, u shpreh ai.

Veseli premtoi një qeveri me më së shumti ministra të rinj që ka pasur ndonjëherë në Kosovë.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka shprehur opotimizëm se partia e tij do t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

“Të tjerët flasin për politikë, por ne marrim vendime. Të tjerët garojnë por ne i fitojmë zgjedhjet, fuqishëm në këtë rast. Të tjerët mund të bëjnë edhe koalicione, por ne udhëheqim qeverinë e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj mbrëmjen e së dielës në konventën e PDK-së për nominimin e Kadri Veselit për kryeministër.

Në anën tjetër, PDK-ja publikoi sot listën me emrat e kandidatëve të saj për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Ky subjekt, përmes një komunikate për media ka theksuar se kjo listë i përfaqëson denjësisht qytetarët e Kosovës.

PDK ka theksuar se në këtë listë nuk ka asnjë zyrtar që ka aktakuzë për korrupsion.

Ndërkaq, në këtë listë figuron edhe emri i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ndaj së cilit, gjatë këtij viti është ngritur aktakuzë për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit.