Veseli: Nga opozita, PDK s'do të ndalet së punuari që Kosova të ecë përpara

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka mbajtur sot një mbledhje me deputetët e partisë së tij, të cilët janë zgjedhur në votimet e 6 tetorit.

Ata kanë diskutuar rreth krijimit të qeverisë si dhe punën që i pret ata si opozitë.

Veseli përmes një publikimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë që Partia Demokratike e Kosovës do të jetë zëri i qytetarëve në Kuvend.

Po ashtu, ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për qasje më serioze më serioze nga të zgjedhurit e popullit.

“Me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, për të diskutuar rreth domosdoshmërisë që sa më shpejtë të krijohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit. Në opozitë, deputetët e PDK-së do të jenë zëri i qytetarëve të Kosovës. Vendi ynë ka nevojë për qasje serioze nga të zgjedhurit e popullit dhe ne nuk do të ndalemi së punuari që Kosova të ecë përpara, e kurrsesi të vendnumërojë ose shënojë regres”, ka shkruar Veseli.