Veseli nga Ferizaj: Pa PDK-në nuk mund të kryhet asnjë punë e mirë për Kosovën

Lideri opozitar Kadri Veseli ka vizituar sot degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, që meqë rast thuhet se temë e bisedës ishte “ruajtja e stabilitetit politik në vend, bashkëpunimi për më të mirën e qytetarëve si dhe angazhimi i pakursyer në dobi të qytetarëve”.

Veseli në këtë takim lavdëroi punën e kryetarit të Ferizaj, Agim Aliu i cili vije nga radhët e PDK-së duke thënë se “qyteti po njeh ritme të jashtëzakonshme zhvillimi e ndryshimi rrënjësor si rezultat i punës” së tij.

Në komunikatën e PDK-së thuhet se Veseli gjithashtu tha se është pikërisht Ferizaj, “komuna ku PDK-ja provoi më së qarti vizionin e saj shtetndërtues e përkushtimin për projekte zhvillimore në dobi të qytetarëve”.

Tutje kryetari i PDK-së, thuhet se theksoi edhe “rolin e pazëvendësueshëm të PDK-së në qeverisje dhe faktin se është inkurajues mobilizimi dhe përkrahja gjithnjë në rritje e qytetarëve për PDK-në”.

“Nikoqirët, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Agim Aliu, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe kryesia e degës, falënderuan z. Veseli për mbështetjen e pakursyer dhënë projekteve të Ferizajt që e bënë qytetin tonë të njoh mundësi të reja për bizneset, zhvillim progresiv ekonomik, transformim rrënjësor në infrastrukturën publike, nisma e projekte këto që e bëjnë Ferizajn dhe qeverisjen e PDK-së në këtë qytet, referencë e model të qeverisjes për interesin qytetar”, thuhet në komunikatë.