Veseli mbështet dekretin e Presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se grupi parlamentar i partisë së tij, do të votojnë dekretin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjenjdes së jashtëzakonshme në vend për shkak të coronavirusit.

Veseli para mediave tha se për shkak se çdo ditë po rritet numri i rasteve të të prekurve, një gjë e tillë duhet të ndodhë.

“Meqënëse numri i të prekurve po rritet, masat ekstreme janë të domosdoshme dhe duhet të veprojmë sa nuk është vonë për shtetin tonë. Duhet të veprojmë, sa nuk është bërë tepër vonë. Për qytetarët, për ekonominë, për të ardhmen dhe shtetin tonë”, tha Veseli.

Sipas tij, nuk është koha për protagonizëm politik andaj edhe do ta mbështesin dekretin e Presidentit.

“Është në dorën e deputetëve që të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por, edhe vetëm një jetë nëse shpëtohet, ia vlen një vendim të tillë. Prandaj, PDK mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin.”, shtoi Veseli.

Veseli po ashtu tha se masat që qeveria ka marrë deri më tash karshi përballjes me pandeminë, sipas tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Sipas tij, qeveria “e ka infektuar vendin po aq sa coronavirusi”.

“Dhe, ne jemi të shqetësuar me rolin e qeverisë në këtë situatë, sepse me paaftësinë e saj menaxhuese dhe nënvlerësimin – mund ta përkeqësoj më tutje gjendjen për qytetarët tanë. Mos-kontrolli i rreptë i të gjithë atyre që vijnë nga vendet e prekura nga Virusi COVID-19, është gabim fatal. Neglizhenca e Qeverisë për të vepruar menjëherë për vendosjen e tyre në karantinë – përbën rrezik të madh për qytetarë tanë”, tha ai.

“Mos-aplikimi i testeve agresive, për t’i identifikuar të prekurit me virus të ardhur nga vendet me rrezik të lartë, e që do të ndikonte në parandalimin e përhapjes së virusit, është tregues i menaxhimit të keq që po i bëhet kësaj çështjeje”, theksoi Veseli.

Mbrëmë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend për shkak të coronavirusit, kurse Lëvizja Vetëvendosje si partner i koalicionit e ka kundërshtuar një gjë të tillë, por kryetari i LDK-së, Isa Mustafa kishte bërë një propozim të tillë.

Megjithatë, dekreti i Presidentit dërgohet në Kuvend dhe me 2/3 e votave vendoset për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Qeveria: Gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti është masë ekstreme