Foto: PDK

Veseli: Haradinaj, kryeministër i vetëlarguar

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka quajtur “kryeministër të vetëlarguar” Ramush Haradinajn, i cili dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Qeverisë së Kosovës për shkak të thirrjes për të shkuar në Gjykatën Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar për krime lufte.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, Veseli tha se Haradinaj ka marrë këtë vendim pa u konsultuar me partnerët e koalicionit qeverisës. Vendimi i Haradinajt, sipas Veselit, ishte jo i papritur dhe pa kalkulim partiak të paramenduar.

“Në këtë takim të parë të Këshillit Drejtues të partisë sonë, jemi mbledhur sot, edhe për përgjigje të një situate të re, e cila është krijuar në vendin tonë. Kryeministri ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e Kryeministrit ishte e pa konsultuar. Por jo edhe e papritur! Vendim ad-hoc dhe befasues për të tjerët, por jo edhe i papritur dhe pa kalkulim partiak të paramenduar nga kryeministri tani i vetëlarguar”, citohet të ketë thënë Kadri Veseli sipas një komunikate të PDK-së.

Në këtë mbledhje, është biseduar për realitetin e ri politik pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt dhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Veseli citohet të ketë thënë se legjitimiteti qytetar vjen nga zgjedhjet dhe se kjo është forma më legjitime e pushtetit për PDK-në.

“Tradicionalisht, PDK, ka dëshmuar në gjithë historinë e vet, se legjitimiteti qytetar çdo herë, i marrë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta është forma më legjitime dhe e arsyeshme e mbajtjes së pushtetit për ne si parti. Kështu kemi vepruar çdo herë, edhe kur ne kemi udhëhequr qeverinë edhe herën e kaluar me LDK-në kur u tentua të sulmohej rëndë PDK-ja për jo korrektësi politike. Kjo dorëheqje e paprovokuar nga PDK, tregon moralin tonë të vërtetë politik, të drejtë dhe parimor”, citohet të ketë thënë i pari i PDK-së.

“Me mijëra vajza e djem, të rinj e të moshuar, burra e gra, intelektualë e punëtorë, sipërmarrës, mjekë e arsimtarë, sot qëndrojnë të gatshëm për të shënuar fitoren e radhës të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që po vijnë”, ka shtuar ai.

Kadri Veseli ka thënë se PDK është gati për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’i fituar ato.

Në këtë mbledhje të Këshillit Drejtues të PDK-së ishin edhe zyrtarë partisë me aktakuza, të cilët Veseli i kishte liruar nga pozitat drejtuese në parti por edhe në institucione.

Ndër të tjerë aty janë parë edhe Adem Grabovci e Sami Lushtaku.

https://kallxo.com/pajtim-ne-pdk-grabovci-e-lushtaku-ne-mbledhjen-e-keshillit-drejtues/?fbclid=IwAR2tKSfdRe0Ang-GlY3oZkawAkBhwEdn0IcIP1SqEpTFDzGn2JR33QvCzaI

www.kallxo.com