Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së - 20.07.2019

Veseli: Hapja e kufirit me Shqipërinë nuk duhej të përbënte lajm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka thënë se hapja e kufirit me Shqipërinë nuk do të duhej të përbënte lajm sot.

Veseli më tej ka thënë se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të duhej të mbyllej me vendime politike.

“Hapja e kufirit me Shqipërinë nuk duhej të përbënte lajm sot po të kishte Kosova një qeveri normale që ndërton ura dhe nuk ngritë pengesa mes shqiptarëve. Ky kufi i shembur para dy dekadash me armë kurrë nuk do të duhej të mbyllej me vendime politike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kryetari i PDK-së ka thënë se shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve tona duhet të intensifikohet.

“Muajt e humbur t’i kthejmë në mundësi për ta vizituar sa më shumë Shqipërinë dhe anasjelltas. Shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve tona duhet të intensifikohet veçmas pas situatës së rënduar nga pandemia. Të angazhohemi të gjithë për t’i rrëzuar pengesat e fundit mes Kosovës e Shqipërisë”, ka vazhduar Veseli.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që nga nesër do të lejohet qarkullimi i plotë brenda në Kosovë dhe po ashtu edhe me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e hëna qytetarët që hynë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.