Veseli e Selimi dorëzohen në zyret e EULEX-it në Kosovë - LIVE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),  Kadri Veseli dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi gjenden në zyrat e EULEX-it në Kosovë.

Të dy janë deklaruar se do të udhëtojnë për në Hagë pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale.

Ende nuk dihet koha kur Veseli e Rexhepi do të paraqiten në Hagë.

Dje deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi ka thënë që është konfirmuar aktakuza e Speciales ndaj tij, ndërsa sot kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka bërë të ditur që edhe ndaj tij është konfirmuar aktakuza.

Dje ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale dhe është dërguar për në Hagë.

Sipas njoftimit të Speciales, Krasniqi është arrestuar në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

 

Konfirmohet aktakuza për Kadri Veselin