Foto: Komuna e Drenasit/Facebook

Veseli e Lladrovci vizitojnë pyjet dhe xhaminë që u dogjën në fshatrat e Drenasit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin me të cilin kanë vizituar xhaminë e djegur në fshatin Vërboc, vatrën e djegur mbrëmë të pyjeve në Abri, Tërdec e Baicë.

Kryetari Lladrovci e ka njoftuar kryetarin Veseli për të gjitha masat që ka ndërmarrë komuna për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, për bashkëpunimin e gjithanshëm dhe angazhimin për zvogëlimin e dëmeve nga pandemia.

Kryetari Lladrovci dhe kryetari Veseli kanë vizituar edhe xhaminë e djegur në fshatin Vërboc, ku në vendin e ngjarjes janë pritur nga kryetari i Bashkësisë Islami të Drenasit, Valon Bequku, kryemami i Bashkësisë Islame në Drenas, Mehdi Kastratin dhe imamin e Xhamisë në Vërboc, Driton Kastrati.

Djegien e xhamisë në fshatin Vërvoc, kryetari Lladrovci e ka quajtur akt të shëmtuar e kriminal, ku djegia e monumentit më të vjetër fetar, ka zgjuar indinjatën e të gjithë banorëve të komunës dhe më gjerë.

Edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka dënuar këtë akt dhe ka shtuar se institucionet duhet të gjejnë mundësi për të riparuar këtë tempull fetar ashtu siç e meriton.

“Sepse ky objekt nuk ka qenë vetëm shtëpi e Zotit dhe besimtarëve, por dikur ka qenë edhe vatër e strehimit e rezistencës së luftës së fundit ku qindra banorë të kësaj ane kanë qëndruar në të”, ka thënë Veseli.

Më pas, kryetari Lladrovci dhe kryetari Veseli, për të parë nga afër punën e fermerëve të Drenasit, kanë vizituar fermën e një fermeri, ku për së afërmi kanë dëgjuar për sfidat me të cilat përballet ferma e tij në këtë kohë pandemie si dhe mundësia e përkrahjes së kompanive private pas pandemisë.

Po ashtu ata kanë qëndruar edhe në vendin ku janë djegur dhjetëra hektarë me pyje në Abri, Tërdec e Baicë dhe kanë ftuar qytetarët të mos ndezin zjarre në natyrë.

“Katastrofa natyrore e djegies së pyjeve e cila po ndodhë javëve të fundit në komunën tonë, është e rëndë sepse po ndodh në kohën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mbingarkimit të zjarrfikësve për shuarjen e tyre. Djegia e pyjeve është e dënueshme”, ka thënë kryetari Lladrovci.