Veseli: Duhet ta marrim vendin që na takon në familjen europiane

Kryetari i PDK-së,Kadri Veseli, ka kujtuar 9 majin, Ditën e Europës.

Veseli tha se kjo ditë shërben për të afirmuar vlerat evropiane të lirisë dhe demokracisë.

“9 maji njihet gjithashtu si Dita e Evropës sepse është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Më 9 maj 1949, Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimim e qymyrit dhe çelikut. Prandaj kjo ditë, e cila shënohet zyrtarisht edhe në Kosovë, kujton lindjen e Evropës së bashkuar si dhe simbolizon paqen dhe miqësinë midis vendeve të kontinentit”, ka shkruar Veseli në Facebook.

“Kjo ditë na shërben për të afirmuar edhe njëherë vlerat evropiane të lirisë, demokracisë, paqes e diversitetit dhe për t’iu kundërvënë zërave që mbjellin përçarje, intolerancë, gjuhë urrejtje e izolim prej partnerëve perëndimorë”, ka shtuar ai

Veseli ka uruar edhe liberalizim sa më të shpejtë për qytetarët e Kosovës nga ana e BE-së.

“Ne të gjithë duhet të vazhdojmë dhe të intensifikojmë reformat e integrimit në mënyrë që sa më parë të marim vendin që na takon në familjen evropiane. Kosova ka institucione të standardeve evropiane, populli ynë ka kulturë evropiane, prandaj uroj për një përshpejtim të procesit të integrimit të Kosovës në BE, si dhe për një liberalizim sa më të shpejtë të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar më tej Veseli.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Europian.

Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.