Veseli: Aplikimi i masës së reciprocitetit, akt tipik i mentalitetit mashtrues të Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vendimi djeshëm i Kurtit për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë është akt i mentalitetit mashtrues.

“Vendimi i Albin Kurtit për aplikimin e masës së reciprocitetit me Serbinë, vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatarin e ri, kur ai tashmë e di se nuk do të jetë më vet në qeveri, është akt tipik i mentalitetit të tij mashtrues që po e rrënon Kosovën qe disa vite”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Sipas Veselit, Kurti që nga opozita e deri tash në pozitë ka pasur një qasje që ka dëmtuar Kosovën.

“Qasja e tij: Kur jam unë në pushtet ka shtet e kur nuk jam në pushtet le të bëhet rrëmujë, është tipike e mentalitetit të “koalicionit të shpresës” që për pak javë e muaj, ka dëmtuar shtetin tonë përtej pritjeve më pesimiste”, ka shkruar tutje Veseli.

Tutje Veseli ka thënë se vendimet e orëve të fundit të qeverisë Kurti nuk mund ta heqin vëmendjen nga skandalet.

“Fatkeqësisht, ky mentalitet shtet-rrënues do të zgjas për aq sa zgjat besimi i njerëzve në manipulimet dhe mashtrimet e tilla. Por, një njeri si Albin Kurti e një parti si Vetëvendosje, s’mundet ta mashtrojë një popull pafundësisht. Vendimet e orëve të tyre të fundit, s’do të heqin vëmendjen nga skandalet e shumta që kjo kastë mashtruesish krijoi për pak ditë në qeverisje”, ka shkruar tutje ai.

Lideri opozitar është shprehur optimist se shumë shpejtë do të vinë ditë të mira për Kosovën.

“Sidoqoftë, Kosova ka fat të madh që ka përkrah SHBA-në dhe partnerët perëndimorë. Do të vijnë shpejtë ditë shumë më të mira se sa këto të mashtrimit të të pashpresëve që po perëndojnë”, ka theksuar ai.

Qeveria Kurti ka filluar zbatimin e reciprocitetit ndaj shtetit të Serbisë, dje qeveria ka marrë i cili parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.